Nga Alfred Peza/ Rimbledhja e tryezës së Këshillit Politik në sezonin e ri, thjeshtë sa riktheu lojën e vjetër të opozitës së rrugës, e cila nuk i do ndryshimet e fundit kushtetuese të miratuara nga Parlamenti. Me fjalë më të thjeshta: PD dhe LSI nuk duan hapjen e listave për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë nga populli, pavarësisht propogandës se janë për hapjen e tyre 100%. Sikundër nuk duan as standardizimin e koalicioneve parazgjedhore me një listë unike kandidatësh nga të gjitha partitë pjesëmarrëse në to. Për tiu shmangur thelbit të këtij diskutimit, përfaqësuesit e PD dhe LSI nuk shkuan në tryezë për të ofruar variantet dhe opsionet e tyre, për implementimin sa më të mirë të ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit 2021. I vetmi oposion që kishin këtë radhë, sikundër kanë patur gjithmonë përballë mazhorancës socialiste, ishte ajo e bllokimit të reformave. Bllokimit të ndryshimeve që çojnë në demokratizimin e procesit elektoral dhe rregullave të lojës demokratike. Sebepi që kanë nxjerrë këtë radhë për të vonuar implementimin e këtyre ndryshimeve,- përfshi edhe atë për pragun kombëtar zgjedhor,- është marja e mendimit të ekspertëve të OSBE/ ODIHR. Është e vërtetë se marrëveshja e 14 janarit thotë se ndërsa palët negociojnë mbi rekomandimet e ODIHR dhe katër përfaqësuesit e partive në tryezën e Këshillit Politik nuk bien dakord, atëherë i drejtohen ODIHR. Por: E para, megjithëse kishte rekomandime të tjera nga OSBE/ODIHR, PS dha konsensusin përballë PD dhe LSI për arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit, duke MOS e dërguar draftin për ekspertizë ndërkombëtare. Ndaj kjo marrëveshje, u miratua në Parlament nga socialistët pa iu hequr asnjë pikë dhe asnjë presje, vetëm e vetëm që të mos prishej fryma politike e konsensusit mazhorancë-opozitë!
E dyta, ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut, nuk shkelin asnjë nga rekomandimet e dhëna nga OSBE/ ODIHR në lidhje me reformën e re zgjedhore në Shqipëri. Në këto kushte, kërkesa e përfaqësuesve të PD dhe LSI në tryezën e Këshillit Politik për të dërguar propozimet për implementimin e këtyre ndryshimeve për ekspertizë të pakërkuar nga ODIHR, është thjeshtë një sebep për të bllokuar ecurinë e këtij procesi. Kjo lojë politike nuk bën gjë tjetër, veçse rikthen prapa pas dy muajsh, gjithçka është arritur dhe miratuar tashmë në Parlament. Madje, duke u miratuar në heshtje, edhe nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. Ndaj kjo lojë e re thjeshtë sa kërkon që të minohet hapja e listave të kandidatëve për deputetë, që mban parasysh respektimin e kuotave gjinore. Por edhe çështjen e standardizimit të koalicioneve parazgjedhore. Në këto kushte PS, për aq kohë sa i është përmbajtur të gjitha angazhimeve të saj përballë opozitës së rrugës dhe marrëveshjes politike të arritur me mbështetjen e BE dhe SHBA më 5 qershor, nuk ka pse bie në kurthin e saj të ri. Presidenti i Republikës ka firmosur edhe dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Mazhoranca ka detyrimin, në përmbushje të afateve për përgatitjen në kohë dhe me standard të këtij procesi, të reflektojë në Kodin Elektoral ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut. Përfaqësuesi i PS në Këshillit Politik i ka lënë afat deri të premten e kësaj jave përfaqësuesve të opozitës së rrugës për të reflektuar dhe sjellë në tryezë propozimet e tyre. Në të kundërt, pritja nuk mund të jetë e pafundme. Përndryshe jemi duke ushqyer rrënjët e një krize artificiale politike, e cila mund ti shërbejë lojës së opozitës, por kurrësesi garantimit të zgjedhjeve të reja me standardet më të mira në Shqipëri.