Më shumë se 60 kombe të pasura i janë bashkuar një programi të mbështetur nga OBSH-ja për të lehtësuar qasjen e vendeve të varfra në vaksinat e koronavirusit, por SHBA dhe Kina nuk janë në listën e botuar të hënën, raporton France24.

Organizata Botërore e Shëndetësisë në koordinim me grupin global të aleancës së vaksinave Gavi dhe Koalicionin për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI) kanë krijuar një mekanizëm që synon të sigurojë një shpërndarje më të drejtë të çdo vaksine të ardhshme për Covid-19. OBSH-ja ka inkurajuar kombet më të pasura t’i bashkohen nismës, 38 vende të tjera priten t’i bashkohen nismës në ditët e ardhshme, thanë të tre organizatat në një deklaratë të përbashkët.

Shtetet e Bashkuara, nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump kanë kritikuar vazhdimisht menaxhimin e pandemisë nga ana e OBSH-së. Edhe Kina, vendi ku u shfaq koronavirusi për herë të parë në fund të vitit të kaluar, gjithashtu nuk është pjesë e listës. “Qëllimi i Covax është të përpiqet të punojë me çdo shtet në botë”, tha shefi i Gavi, Seth Berkley në një konferencë virtuale kur u pyet për mungesën e Kinës në listë.

“Unë mund t’ju siguroj se ne kemi biseduar dhe do të vazhdojmë të bisedojmë me të gjitha vendet”, ka deklaruar ai. Qëllimi i Covax është të sigurojë mbi dy miliardë doza vaksinash të sigurta dhe efektive deri në fund të vitit 2021. OBSH-ja ka deklaruar se nevojiten rreth 38 miliardë dollarë për programin e përgjithshëm ACT-Accelerator, i cili përfshin Covax, por edhe bashkëpunimin global drejt zhvillimit dhe sigurimit të qasjes së barabartë në teste dhe trajtime për Covid-19, dhe forcimin e sistemeve shëndetësore.

Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh optimist pasi gati dy të tretat e popullsisë globale kanë rënë dakord të marrin pjesë në programin e OBSH-së. “Covid-19 është një krizë e madhe globale që kërkon një përgjigje të madhe globale,” tha ai në deklaratë. “Kjo nuk është bamirësi, është në interesin e çdo vendi. Ne fundosemi ose notojmë së bashku.”