Profesor Edmond Tupe flet pas shërimit nga Covid-19. Ai është shprehur se pavarësisht kujdesit, në familjen e tij tre anëtarëshe ka dalë pozitiv ai dhe djali, kurse bashkëshortja jo. Në një intervistë për Fax News, Tupe ka thënë se fillimisht është ndjerë i lodhur dhe i këputur, dhe më pas nëpërmjet mjekut të familjes është lidhur me ISHP, të cilët i kanë bërë tamponin nga ku ka dalë pozitiv. Tashmë që në familjen e tij e kanë kaluar betejën me infeksionin, ai tregon ndjesitë e para të infektimit.

“Në familjen tonë jemi tre veta bashkëshortja djali im edhe unë. Deri para një muaji ne nuk kishim asnjë shqetësim. Djali dhe nusja rrinin brenda, unë duke u armatosur me të gjitha mundësitë e mia për të mos u prekur nga virusi bëja pazare në orare kur nuk kishte njerëz, vija maskën, mbaja distancën dhe laja duart pafundësisht. Shumë i kujdesshëm, ime shoqe gjithashtu. Pastaj erdhi një ditë që unë u ndjeva i këputur, i lodhur. Njoftova mjekun, pastaj me anë të mjekut të familjes lajmërova qendrën epidemiologjike për të bërë tamponin. Unë dola pozitiv dhe djali ishte pozitiv, djali kishte zënë shtratin. Unë jo, qendrova, nuk u dorëzova, ndërsa nusja jo, mesa duket ishte asimptomatike. U kuruam me ilaçet e duhura. Mua mu deshën dy ditë dhe e mora vetën pa zënë shtratin, por im bir qendroi 7-8 ditë. Unë pata një ditë temperaturë, pastaj pata këputje. U kuruam, por fatmirësisht nuk patëm probleme me frymëmarrjen, djali kishte temperaturë. Bëmë sërish tamponin, pasi kaluam ethen e madhe dhe doli që unë dhe ime shoqe ishim negativ dhe djali ishte pozitiv. Pas disa ditësh edhe djali e kapërceu. Përfundimi ishte se do të vazhdonim të mbanim të mprehur shpatën e vigjilencës. Unë i jam mirënjohës mjekut të familjes. Që para se të fillonte Covid-19 më kishte thënë shto dozën e vitaminës C. U bëj thirrje bashkë atdhetarëve që të mos e heqin maskën, të lajnë duart vazhdimisht.”- tha Tupe.