Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka dhënë një intervistë për “Dnevni Avaz” pas marrëveshjes së nënshkruar me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, në Washington.
Vuçiç është ndalur për herë të parë tek çështja e shumëpërfolur, në lidhje me foton që bëri xhiron e rrjeteve teksa qëndronte i ulur përballë presidentit Donald Trump.
Ai tha se “nuk i shkoi në mendje që për shkak të karriges” në të cilën ishte ulur në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, të largohej nga takimi me Trump.
“Imagjinoni presidentin e ndonjë prej vendeve tona të vogla në rajon që të ketë një shans për të hyrë në Zyrën Ovale, për të biseduar vetëm me Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe që kur t’i vendosin një karrige, ai të thotë: ‘Më falni, nuk jam i interesuar për këtë karrige, do ta shkelmoj tani’… Sigurisht që nuk më shkoi në mendje.. Unë veprova me përgjegjësi, u solla me edukatë dhe pata nderin dhe mundësinë për të pasur një bisedë të shkëlqyeshme me Donald Trump.
Unë gjithmonë do ta përsëris, sepse është detyrimi im të bëj gjithçka që mundem për vendin tim, për Serbinë. Dhe u përpoqa të bëja që gjithçka që ne propozuam të ishte në interes jo vetëm të Serbisë por edhe të gjithë të tjerëve në rajon”, tha Vuçiç./gazetashqip