Përveç skemave për nxitjen e rikthimit në punë të individëve që u larguan nga tregu për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19, qeveria po zbaton edhe një program tjetër për mbështetjen e punëkërkuesve të regjistruar pranë zyrave të Punës, ku fokusin më të madh e kanë nënat kryefamiljare, romët, egjiptianët, viktimat e dhunës dhe personat me aftësi të kufizuara.

“Ne kemi programe që targetojnë punëkërkuesit e papunë dhe këto programe janë aprovuar në janar të këtij viti. Rreth 84 mijë punëkërkues rezultojnë të regjistruar pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Formimit Profesional”, tha zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, gjatë një aktiviteti për prezantimin e programeve të punësimit ku i pranishëm ishte edhe kryeminsitri Edi Rama. Sorensen bëri të ditur se program i punësimit parashikon një mbështetje me financim prej 4 pagash minimale dhe 12 muaj kontribute, detyrim i punëdhënësit për të gjitha bizneset që janë të gatshme të punësojnë personat që janë të regjistruar pranë zyrave të punës.

“Këta persona që të jenë përfitues të programit të punësimit duhet të kenë qenë të regjistruar të paktën për një periudhë prej tre muajsh pranë Zyrave të Punës. Kohëzgjatja e programit është 12-mujor dhe bizneset mund të përfitojnë deri në 20% të forcës së punës që ata kanë ose 21 persona”, shpjegoi zv.ministrja. Element shumë i rëndësishëm, tha ajo, është se jo të gjithë janë njëlloj vulnerabël në tregun e punës dhe bazuar mbi këtë kriter janë parashikuar edhe përfitime në nivele të ndryshme.

“Nëse ne flasim për nënat kryefamiljare, romët dhe egjiptianët dhe viktimat e dhunës programi parashikon mbështetje me 6 paga minimale dhe kontributet e sigurimeve”, tha Sorensen. Për personat me aftësi të kufizuara, një tjetër grup ky që e ka të vështirë të integrohet në tregun e punës, sipas Sorensen, programi parashikon 12 muaj financimin e pagës minimale dhe kontributet e sigurimeve.