Situata e COVID i dha një goditje të rëndë ekonomisë shqiptare, e cila pritet të regjistrojë në 2020 një rënie prej rreth 4.3%.
Megjithatë, përmirësimi i pritshëm i situatës nga viti i ardhshëm, kombinuar me rritjen e paprecedent të investimeve publike si pjesë e paketës së rindërtimit nga tërmeti dhe me rritjen e investimeve të huaja direkte, do t’i japë një shtysë të paprecedent ekonomisë shqiptare.
Kështu, sipas të dhënave zyrtare të mbështetura nga Banka Botërore, pritet që vitin e ardhshëm ekonomia të kthehet në rrugën e duhur me një rritje prej 9-10%.
Specifikisht, bujqësia pritet të rritet mesatarisht me rreth 1.3 përqind në vit në terma real përgjatë periudhës 2021-2023.
Industria me një rritje mesatare vjetore prej rreth 5.2 përqind në të njëjtën periudhë.
Ndërtimi me rritje mesatare vjetore prej rreth 3.6 përqind
Shërbimet me një rritje mesatare vjetore prej rreth 5.7%.
E gjithë kjo do të gjenerojë një rritje të rëndësishme të punësimit në vend, me papunësinë që projektohet të reduktohet deri në nivelin e 8%, nga 11.5% që është aktualisht.
Këto të dhëna u bënë publike ditën e sotme në tryezën e rindërtimit të kryesuar nga Kryeministri Rama.
Përsa i përket rindërtimit, kreu i qeverisë shpjegoi se totali i projekteve ndahet në tre shporta të mëdha. E para, ajo e Bashkisë së Tiranës, që është duke zbatuar 70 projekte.
Projektet në fjalë, me një vlerë të përgjithshme prej 9.5 miliardë lekësh (rreth 80 mln euro) ndahen në:• 17 shkolla• 16 projekte për banesa individuale • 14 konvikte• 5 kopështe• Si dhe një projekt për infrastrukturën e përgjithshme publike, çerdhe, qendër shëndetësore, ndërtesë multifunksionale shërbimesh, qendër sociale, godina komunitare.
Këto projekte kanë një impakt direkt në jetën e 17 mijë personave si dhe pritet të punësojnë deri në 15 mijë persona.
Në pjesën tjetër të territorit të impaktuar nga tërmeti, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është në fazë zbatimi apo në prag të nisjes së punimeve për rreth 30 projekte të tjera, me një vlerë të përgjithshme prej 7.5 miliardë lekësh (rreth 62 mln euro).
Këto projekte ndahen në: • 22 projekte për rindërtimin në total të 37 shkollave dhe kopështeve• 6 projekte të infrastrukturës rrugore dhe urbane• Projekti për ndërtimin e 677 ndërtesave individuale • Projekti për rindërtimin e një konvikti. Në total, këto projekte impaktojnë direkt jetën e 25 mijë personave dhe gjenerojnë 2 mijë vende pune direkte, mijëra më shumë indirekt.
Paralelisht, Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka në proces 35 procedura studimesh dhe projektesh. Konkretisht bëhet fjalë për:
• 18 zona të reja zhvillimore• 31 pallate• 2235 banesa individuale
Këto projekte impaktojnë direkt jetën e 33 mijë qytetarëve të tjerë.Këto projekte, nga Bashkia Tiranë, FSHZH dhe AKPT përbëjnë zemrën e luanit të paketës së rindërtimit, por jo paketën përfundimtare e cila do të vijojë të pasurohet me projekte të tjera.
Për të financuar procesin kolosal të rindërtimit si dhe nevojat imediate të të mbijetuarve, qeveria shqiptare vendosi në dispozicion të rindërtimit 34 miliardë lekë në këtë vit buxhetor.
Në vitin e ardhshëm parashikohen 25 miliardë shtesë si dhe në vitin 2022, 6 miliardë më shumë. Shifër që pritet të shtohet edhe nga grantet, donancionet dhe financimet e huaja të padisbursuara.