Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur sot në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar u shpreh se, “një pikë tjetër që duhet të përfitojë vëmendje specifike nga parlamenti këtë vit është projektbuxheti i ri”.

“Edhe pse vëmendja nuk i ka munguar, projektbuxheti i ri do të mund të adresojë shumëçka nga ato tema, që faktikisht adresohen shpesh në mënyrë spekulative dhe propogandistike dhe jo në mënyrë faktike dhe realiste. Këtu kam parasysh nevojën për të adresuar pagat e mjekëve dhe të mësuesve”, theksoi Kryeministri Rama.

“Janë dy kategori, por mjekët veçanërisht, por edhe mësuesit, pa diskutim, që në këtë fazë të zhvillimeve të vendit dhe jetës sonë kanë një rol ekstra, për shkak të vështirësive që ka krijuar pandemia dhe besoj që ne i kemi mundësitë që për mjekët të bëjmë një rritje të pagave si asnjëherë më parë në këto 30 vjet, – tha Rama, ndërsa shtoi se, – me këtë mbështetje iu qëndrojmë pranë dhe shprehim përmes kësaj rritjeje një vlerësim absolutisht legjitim për ta dhe një respekt absolutisht të merituar për ta”.

“Po ashtu edhe për mësuesit si një tjetër kategori, që jo vetëm në kohë të zakonshme, por në këtë kohë dhe sidomos në këtë vit shkollor do të përballen me një vështirësi ekstra, duke bërë dy punë. Punën e përditshme dhe të gjithëhershme të mësuesit për mësimdhënien dhe edukimin dhe punën ekstra për mbrojtjen e shëndetit të të gjithëve bashkë, pasi vërtet fëmijët nuk janë pjesa më vunerabël ndaj Covid, edhe pse nuk janë plotësisht të imunizuar, por është po kaq e vërtetë që fëmijët janë transmetues dhe faktikisht e rrit në mënyrë eksponenciale ekspozimin e të gjithëve ne”, – tha Rama.