Koço Kokëdhima është de facto një zëdhënës i Armando Dukës, të cilin ky i fundit po e përdor për të folur në emër të të ashtëquajturës Ligë e Futbollit.
Kokëdhima ka marrë në dorë udhëheqjen e kësaj Lige, ku në emër të saj ai i ka vendosur disa ultimatume qeverisë për t’i zgjdhur, ndërkohë që nuk pranon as negociata dhe as ulje në tryezë për të arritur një konsensus.
Më shumë se sa kërkon zgjidhje për futbollin, Kokëdhima dhe Duka janë të shqetësuar se mos qeveria e zgjidh këtë problem, dhe po e përdorin qartësisht politikisht këtë Ligë për fushatë, ku nuk duan të ulen në mënyrë të pakuptimtë në tryezë me Ministrinë e Financave dhe deputetin Fidel Yllin, që ka marrë përsipër për të zgjidhur këtë ngërç fallco të krijuar nga kjo dyshe.
Mënyra e tij e komunikimit pa etikë, sulmet poltike me qëllime personale ndaj qeverisë, e ka kthyer Ligën si një seli partie, qesharake, dhe aspak të dobishëme për të zgjidhur problemet e futbollit.
Por, akoma me qesharake mbetet dhe heshtja e presidentëve të klubeve të tjerë të Kategorisë Superiore, të cilët janë më me eksperiencë dhe shumë herë më të aftë për ta zgjidhur këtë problem, por çuditërisht janë nënshtruar dhe po ia lënë zgjidhjen e problemeve Koço Kokëdhimës.
Një president kontrovers, i pabesueshëm në publik, jo korrekt me klubin e tij, dhe shfrytëzues për përftime personale që po bën në emër të Ligës.
Si mund të presësh zgjidhje nga Kokëdhima, ku vetë ky i pari ka deklaruar se nuk është korrekt me pagesat ndaj futbollistëve?
Si mund të presësh zgjidhje nga Kokëdhima, kur ky i fundit vetëm akuzon pa fakte qeverinë, se ka halle personale?
Si mund të zgjidhen problemet e tyre, kur ky personazh po i imponohet me dhunë qeverisë për të zgjidhur ato probleme?
Presidentët e Kategorisë Superiore nëse e kanë seriozisht këtë nismë, nuk duhet që fatin e tyre ta drejtojë një president i dështuar.
Të gjithë presidentët e kanë detyrim të ulen me palët që cakton qeveria, jo me kë t’i dojë qejfi Kokëdhimës apo Dukës.
Në rast të kundërt arroganca dhe hallet personale të Kokëdhimës do e zhysin më keq krizën ekonomike të futbollit.
Se tifozëve që u bëni thirrje për t’iu mbështetur, ju kanë braktisur me kohë. Aq më tepër kur jua kërkoni këtë mbështetje në emër të një Lige që e drejton Armando Duka dhe zëdhënësi i tij Koço Kokëdhima. (TemA)