Nga Vlora ku kanë nisur punimet për ndërtimin e një parku qëndror në zonën e Lungomares, Kryeministri Rama ka folur edhe për rritjen e pagave të mjekëve dhe vendimin për heqjen e tatimit mbi fitimin te bizneset e vogla.

Teksa theksoi se këto vendime janë marrë pikerisht në kohën kur janë krijuar mundësitë e realizimit të tyre, Kryeministri dha një përgjigje për të gjithë ata që thonë se vendimet vijnë në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, për qëllime politike:

“Të rrisësh kontributet nga shteti për njerëzit, të heqësh tatimin e fitimit komplet mbi një kategori nuk është një fjalë goje, por që bëhet kur janë krijuar kushtet për ta bërë. Kjo nuk ka lidhje se kemi zgjedhjet, sot janë krijuar mundësitë. Nuk ka lidhje kjo sepse zgjedhjet ne i fitojme si me keto si pa këto, sepse përtej shumë individëve denglaxhinj, apo shumë të pakënaqurve, populli është më i mençur se secili prej nesh. Asnjë individ nuk është populli. Ndaj atyre që thonë se populli po vuan u them se askush nuk ka mandat të flasë në emër të popullit që flet vetë kur i vjen dita. Dhe jam i sigurt që populli do flasë drejt dhe do i japë Çezarit atë që i takon Çezarit”, tha Rama.

Duke iu referuar akuzave të kryetarit të opoztës për këto vendime, Rama tha se “unë jam kujtuar për to edhe kur ti flije, në çdo ditë e çdo natë por sot u krijuan mundësitë”.