Edi Rama gjatë inagurimit të bulevardit pranë Lungomares në Vlorë pasditen e kësaj të premte (25 shtator), ka konfirmuar sërish kandidaturën e tij si deputet në qytetin bregdetar. Kështu Rama i ka hedhur poshtë zërat që thanë se kryeministri do kandidojë në Durrës, duke qenë se mori në dorë drejtimin e fushatës atje. Rama tha se ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë në Vlorë, madje dhe kur mos të jetë në pushtet.

“Dhe për ta mbyllur, meqënëse u përmendën zgjedhjet, kam një përgjigje për ata që thonë se s’do jem më në Vlorë, dhe për ju që i besoni. Mos i hapni këto llafe. Do thoni ju ne nuk i hapëm ne i dëgjuam. Mos dëgjoni çfarë thonë kot, se njerëzit flasin paçavurre. Flasin pa bërë asnjë verifikim. Unë në Vlorë kam qenë edhe përpara se të bëhesha kryetar i PS, në Vlorë kam qenë dhe kur u bëra kryetar i PS. Jam tani që jam kryeministër, do jem deri kur të jem kryeministër, madje dhe kur të mos jem më kryeministër. Se do kem më shumë kohë të lirë për të ardhur e për ta vizituar”, tha Rama.