Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuci ka inspektuar nga afër të dielën, një nga qendrat më të mëdha të grumbullimit që po ndërtohet në Lushnjë për ruajtjen, shpërndarjen dhe eksportin e fruta- perimeve dhe agrumeve në rajon. Çuçi thekson se ky është një investim rreth 8 milionë euro i kompanisë “Doni Fruits”, i mbështetur me fondet e qeverisë dhe BE-së nga programi IPARD përmes AZHBR.

Ai shprehet se në fund të muajit tetor përfundon faza e parë e këtij investimi tejet të rëndësishëm për sektorin bujqësor. “Kjo qendër do të ketë 33 dhoma frigoriferike dhe magazina për prodhimet bujqësore, me ruajtje dinamike të produktit deri në 2 vjet”, deklaron ministri.

Çuçi shtoi se “mbi 300 persona do të jetë numri i të punësuarve direkt pas përfundimit të investimit, ndërsa në mënyrë indirekte kjo sipërmarrje që ndodhet në një pozicion strategjik, ku kryqëzohen tre zonat që kanë më shumë prodhime bujqësore në vend; Lushnja, Fieri dhe Berati, do të punësojë mbi 6 mijë persona”.