Kryeministri Rama bën të ditur se falë ndryshimeve ligjore, shërbimi veterinar ka hyrë në një fazë reformimi dhe po hapen vazhdimisht vende të reja pune. Rama sjell si shembull Besmirin, i cili është një nga 400 të rinjtë që do të punësohen në këtë sektor për të rritur sigurinë ushqimore të produkteve që konsumojmë çdo ditë.

“Besmiri nga Tirana është një prej shumë të rinjve që i është bashkuar Shërbimit Veterinar Shtetëror, i cili ka hyrë në një fazë reformimi pas miratimit të ndryshimeve ligjore. Si Besmiri do të jenë edhe rreth 400 veterinerë të tjerë në të gjithë vendin që do të punësohen në këtë shërbim kaq shumë i rëndësishëm për sigurinë ushqimore, i cili nuk do të jetë më i fragmentarizuar, por i shtrirë në mënyrë kapilare në të gjithë territorin. Me reformimin e shërbimit veterinar hedhim bazat për hapjen e eksporteve të produkteve shqiptare me origjinë shtazore në tregjet e huaja. Fermerët gjithashtu përfitojnë vaksinim dhe matrikullim falas për kafshët blegtoral”, shkruan Rama.