Berat, 21 Shtator – Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar punimet që po kryhen për ndërtimin e maternitetit të ri të Beratit. Gjatë inspektimit të punimeve, Manastirliu tha se brenda muajve të parë të vitit tjetër materniteti i Beratit do të përfundojë dhe ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë. “Brenda muajve të parë të vitit tjetër do ta kemi gati. Është një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare. Materniteti i Beratit deri para pak kohësh ishte me të vërtetë një spital i degraduar, ndaj filluam këtë investim të qeverisë prej 216 milionë lekë për ndërtimin e godinës së re të spitalit. Nga 40 shtretër që jemi aktualisht, do të bëhet 54 shtretër, me standardet më të mira. Do t’i shërbejë më mirë gjithë qarkut, pasi edhe numri i lindjeve kishte rënë për shkak të infrastrukturës”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se pavarësisht situatës së vështirë, investimet në maternitete do të vazhdojnë për të ofruar kushtet më të mira për nënën dhe fëmijën. “Aktualisht jemi duke punuar në strukturat e materniteteve të Lezhës, Beratit, Kukësit, së shpejti edhe të “Mbretëreshës Geraldinë”, pjesë e planit tonë për rijetësimin e materniteteve në të gjithë Shqipërinë. Kjo jo vetëm që përmirëson shërbimin por ndikon edhe në indikatorët kombëtarë”, tha ministrja Manastirliu. Kryeministri Rama rikonfirmoi rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët e sistemit shëndetësor publik. “Do jetë ndërhyrje e fortë dhe rritje e konsiderueshme. S’dua të flas për shifrën finale por besoj që do arrijmë në 40%. Faktikisht po e llogarisim këto ditë, se duam ta bëjmë të kombinuar me pagat e mësuesve”, tha Kryeministri Rama.
Pak ditë më parë, raporti i Bankës Botërore e renditi Shqipërinë ndër 10 vendet e para në Botë për përmirësimin e treguesve që lidhen me shëndetësinë dhe arsimin, ku një fokus të veçantë kishte indikatori i zhvillimit të fëmijëve, i cili ishte përmiresiar me më shumë se 2 herë.