Shqipëria rihapi shkollat këtë të hënë me thirrjet e përsëritura të autoriteteve që të respektohen masat anti-Covid nga mësuesit, fëmijët dhe prindërit. Statistikat kanë provuar se në të gjitha vendet ku janë rihapur shkollat (me përjashtim të Suedisë që nuk i mbylli fare) kanë njohur brenda pak ditëve rritje të rasteve ditore me Covid-19 dhe nga ky rregull nuk pritet që të bëjë përjashtim Shqipëria.
Por, dallimi mund të bëhet tek intensiteti i rasteve të reja ditore dhe menaxhimi i mëtejshëm i situatës. Një shembull që nuk duhet të ndjekë vendi ynë është Izraeli. Ky i fundit, pas thuajse 3 muajve izolim vendosi që në fund të muajit maj të rihapë shkollat dhe universitetet dhe të lehtësojë ndjeshëm masat kufizuese.
Hapja e institucioneve arsimore mbërrinte në periudhën kur autoritetet raportonin shifra të ulta infektimesh të reja. Kështu, më 21 maj, Izraeli raportonte vetëm 16 infektime të reja. Infeksioni ishte ende në vatra dhe jo komunitar, ndaj shifra të ngjashme shoqëruan pothuajse të gjithë muajin maj në këtë vend.
Por, dy javë nga rihapja e shkollave rastet e reja u dhjetëfishuan dhe situata u përkeqësua në fund të korrikut, ku Izraeli raportonte 100 herë më shumë të infektuar se në mesataren e muajit maj, pra mbi 2 mijë persona në ditë dhe infeksioni ishte shndërruar në komunitar.
Gushti ruajti prirjen e korrikut, ndërsa shtatori e përkeqësoi edhe më tej situatën, duke shkuar deri mbi 4 mijë të infektuar që u raportuan më 12 shtator. Kjo detyroi Kryeministrin e vendit, Benjamin Netanjahu që të dalë ditën e diel dhe të njoftojë rikthimin e izolimit total të vendit për tre javë duke filluar nga dita e premte.
Nëse në Shqipëri do të përsëritej skenari izraelit, sistemi shëndetësor mund të përfundojë në kolaps. Shqipëria aktualisht raporton rreth 150 raste në ditë dhe infeksioni kategorizohet si komunitar. Nëse do të shfaqet i njëjti skenar sipas shifrave të Izraelit, brenda 2-3 javësh Shqipëria hipotetikisht mund të ketë 10 herë më shumë raste ditore dhe në fillim të nëntorit me mijëra të infektuar.(SI)