Në bashkinë Kurbin, rilindja nga themelet do të sjellë jo vetëm një pol të ri të zhvillimit urban me dy zona rindërtimi në Laç, por edhe kushte e standarde studimi për nxënësit e dy shkollave në Gjorm dhe në Mamurras. “Me Majlindën, kryetaren e Bashkisë Kurbin, aty ku rilindja nga themelet do të sjellë jo vetëm një pol të ri të zhvillimit urban me dy zona rindërtimi në Laç, por edhe kushte e standarde studimi për 400 nxënësit e shkollës “Dan Bajrami” në Gjorm dhe për 460 të rinj të gjimnazit “Arif Halil Sulaj” në Mamurras”, tha sot kryeministri Edi Rama.
ERTV-së në kantierin e rindërtimit në Kurbin.
Nga zona e rindërtimit në Laç, kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara u shpreh për ERTV-në se “këtu do të ndërtohen 524 apartamente, njësi tregtare, një shkollë dhe hapësira të gjelbra për më të moshuarit dhe fëmijët e Kurbinit”.
“Këtu jemi në gropën e parë ku do të ndërtohen 5 pallate gjithsej dhe pastaj kalojmë në gropën tjetër, në themelet e tjera ku do të ndërtohen edhe 8 pallate të tjera 5-katëshe”, tha ajo. Cara tha se “banorët e gjithë Kurbinit që u prekën nga tërmeti tani trajtohen me bonus qiraje”. “Janë të gjithë të sistemuar nëpër apartamente me qira në qytetin tonë, por edhe rreth nesh, si Lezha dhe Tirana. Praktikisht, asnjë nga banorët nuk është lënë vetëm nga bashkia Kurbin nga qeveria shqiptare. Lagjes do t’i bashkëngjitet edhe institucioni i bashkisë Kurbin, që tani pritet të kemi gati edhe fillimin e punimeve për bashkinë e re brenda kësaj zone”, tha ajo.
Po ashtu, ajo u shpreh se po rindërtohet shkolla e fshatit Gjorm në rrethin e Kurbinit. “Edhe kjo shkollë është në ndërtim e sipër. Jemi rreth 3200 m2 ndërtim. Do të ndërtohet një shkollë me parametra bashkëkohorë, do ketë 15 klasa, laboratorë, palestër, terrene sportive të jashtme. Do të jetë një qendër komunitare më vete. Rreth 400 nxënës shumë shpejt do t’i kthehen kushteve më të mira në shkollë se sa kanë qenë më parë. Dhe më moderne dhe me cilësi ndërtimi akoma më të mirë”, tha ajo.
Cara tha se “përveç funksionit që do të ketë si institucion arsimor do t’i shërbejë komunitetit edhe si qendër komunitare”. “Ka ecur me ritme të shpejta, po punojnë me orare të zgjatura. Është një projekt mjaft i bukur e shpresëdhënës për këtë komunitet. Do të ketë edhe sistemin e ngrohjes qendrore, kundër zjarrit dhe ventilimit. Do të ketë edhe ashensorin e tij për të shërbyer për fëmijët me aftësi të kufizuara”, tha ajo.
Po ashtu, Cara tha se edhe gjimnazi në Mamurras është rreth 3300 m2 ndërtim. “Ka një kapacitet 460 nxënës. Kjo shkollë do të ndërtohet me parametra bashkëkohore, me eurokode europiane. Do të jenë jenë rreth 13 klasa dhe 4 laboratore. Ka një palestër të nëndheshme dhe një fushë sporti mbi palestrën e nëndheshme. Sipërfaqja e ndërtimit është 3300 m2, një hapësirë më e madhe se ekzistuesja. Edhe ky ndërtim do të ketë ashensor. I ka të gjitha kushtet që plotëson një institucion arsimor me parametra shumë herë më të mirë në hapësira dhe cilësi ndërtimore”, tha ajo. Edhe banorët e zonës u shprehën entuziastë për ecurinë e shpejtë të punimeve. “Patëm fatin e keq të 26 nëntorit, por nuk mbetëm jetimë, nuk humbëm shpresat dhe unë jam shumë i kënaqur për punën që ka filluar. Një punë intensive që nuk njihet e diela, e hëna, apo dita e festës. Populli shqiptar thotë një fjalë të urtë: Fillimi i mbarë gjysma e punës”, u shpreh një banor i zonës.