“Tullë pas tulle e mur pas muri, po ngrihen shtëpitë e familjeve të prekura nga fatkeqësia e 26 nëntorit të shkuar në Shijak e në Kavajë”, tha sot Kryeministri Edi Rama. Kryeministri Rama ndau një album me foto nga kantieret e ndërtimit në Shijak e Kavajë, të cilat janë ndër bashkitë që u prekën më rëndë nga tërmeti. Bashkia e Shijakut është një nga 4 bashkitë, ndër 11 të tilla, që përfiton në mënyrë të konsiderueshme nga Rindërtimi. Në Shijak po ndërtohen gati 600 shtëpi individuale dhe 400 apartamente, krahas 6 shkollave të reja.
Ndërsa në Kavajë, janë rreth 7 pallate me 6 kate që do të mundësojnë strehimin e rreth 300 banorëve. Projekti i detajuar vendor për këtë bllok banesash parashikon edhe ndërtimin e shkollës profesionale, si dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të banesave. E gjithë zona e kantierit të ndërtimit është 3.5 hektarë. Në Kavajë do të ngrihen edhe 100 njësi shërbimi nga themelet me standardet më të larta.