Ritëm i shpejtë punimesh në shkollën 9-vjeçare “Ramazan Subashi”, në Vorë e cila u dëmtua nga tërmeti i 26-nëntorit dhe që pritet të hap dyert për 220 nxënësit e saj në datën 26 nëntor të këtij viti. Puna, që ka nisur prej fillimit të qershorit tashmë ka arritur në pjesën finale të saj, me suvatimin dhe veshjen e mureve me sistemin kapot. Qytetarët thanë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se mezi presin përfundimin e punimeve, teksa shprehen të lumtur për kushtet që do të ofrojë shkolla e re për vogëlushët.

“Lajm shumë i mirë shkolla po ndërtohet me standarde. Na pëlqen serioziteti dhe puna e firmës”,- tha një qytetar. “Shumë shumë mirë. Patjetër, është shumë e vërtet që kjo shkollë do ti vijë në ndihmë komunitetit.Fëmijët aktualisht shkojnë në shkollën e Marqinetit pasdite”,- u shpreh një qytetare. “Për fëmijët është shumë mirë”,- vijoi ajo. “Jam shumë i gëzuar që do të vijë në një shkollë të re. Shumë bukur, jam në klasën të katërt”,- u shpreh një nga nxënësit e shkollës.

“Shumë e bukur, shumë e mirë, me kushte të reja”,- u shpreh një tjetër nxënës. “Mirë shumë mirë, ka ambiente shumë të mira. Jemi duke çuar kalamajtë në Marqinet. Shumë mirë që po bëhet. Gjëja e mirë bëhet ngadalë ngadalë, po shumë mirë”,- tha tjetër qytetare. “Do bëhet shumë shkollë e bukur, palestër, klasa, fusha e sportit”,- u shpreh një tjetër nxënës.

Lorenc Bane, inxhinier i kompanisë ndërtuese u shpreh se kjo shkollë do jetë në dispozicion të 220 nxënësve dhe komunitetit brenda 26 nëntorit. “Kemi nisur punën në qershor të këtij viti. Në këto dy muaj kemi ecur me ritme të shpejta. Pavarësisht vështirësive. Shkolla ka 1 300 metër katror, me ambiente sportive për 220 nxënës. Ambiente sportive të brendshme dhe të jashtme. Me ngrohje me kaldajë, sistem kapot, hidro-izolim, mendohet të përfundoj më 26 nëntor sipas afateve. Shkolla do ketë laborator fizike, kimie”,- tha Bane për ATSH-në.