Me “çështjen Diawara” në rend dite, mjaft e bujshme, sepse solli humbjen 3-0 në tavolinë kundër Verona, skuadra e Romës po përgatitet të sfidojë Juventusin e Andrea Pirlos në javën e dytë të kampionatit. Të dyja ekipet do të përballen me njëra-tjetrën të dielën në mbrëmje, në “Olimpico”. Paulo Fonseca, si zakonisht e bëri prognozën e sfidës së radhës përmes një konference shtypi. Por, ndryshe nga zakonisht, ai çuditërisht njoftoi formacionin që do të përballet me Juventusin:
“Unë fola me Dzeko, është shumë i motivuar dhe i gatshëm për të luajtur nesër. Unë jua them direkt të gjithë formacionin: Mirante, Mancini, Ibanez, Kumbulla; Santon, Pellegrini, Veretout, Spinazzola; Pedro, Mkhitaran; Dzeko. Dhe dua të sqaroj një gjë, Edin nuk refuzoi të luante kundër Veronës”.
Lidhur me disa zgjedhje të mundshme të formacionit, Paulo Fonseca shpërndau të gjitha dyshimet: “Më pëlqeu Mkhitaran si sulmues qendror ndaj Verona, por kam Dzeko, prandaj nuk ka kuptim ta vendos përsëri atje. Nëse na duhet, ai mund ta bëjë këtë rol, por qendërsulmuesi ynë është Edin. Bruno Peres ka filluar të punojë me grupin, nuk është i gatshëm të luajë që nga minuta e parë. Karsdorp bëri stërvitje individuale dje, nuk është ende gati”.