500 oficerë të rinj iu bashkuan të martën Policisë së Korçës, që do të angazhohen në strukturat e posaçme “Shqiponja” dhe strukturat e kufirit dhe migracionit Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë aktivitetit të organizuar sot në mëngjes në qytetin e Korçës, ka bërë me dije se investimet në burimet njerëzore kanë si synim vijimin e trendit pozitiv të uljes së krimit dhe rritjes së sigurisë në vend.
Sipas Lleshajt, investimet në burimet njerëzore nuk janë thjesht në numër, por edhe arsim e formim profesional. “Shtimi i kapaciteteve njerëzore është një lajm shumë i mirë për Korçën dhe Policinë e Shtetit në tërësi, për arsye se bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm në kapitalin njerëzor, duke shtuar në një ditë 500 oficerë të rinj, që do të fokusohen në strukturat e posaçme “Shqiponja” dhe strukturat e kufirit dhe migracionit. Ky investim i rëndësishëm është pjesë e angazhimit të madh të qeverisë shqiptare për përmirësimin e standardit të jetës së qytetarëve të vendit, duke motivuar zhvillimin ekonomik e social të vendit, pasi asgjë nuk mund të bëhet pa pasur sigurinë”,- tha Lleshaj.
“Me këtë investim njerëzor që bëjmë në Korçë dyfishojmë njësinë “Shqiponja” dhe patrullat e kufirit, duke synuar rritje të parametrave të sigurisë që qyteti dhe i gjithë vendi ka nevojë”,- tha ministri i Brendshëm.
Lleshaj garantoi se investimet në Policinë e Vendit do shtrihen në të gjitha qarqet e vendit. “Do vijojmë investimet në kapitalin njerëzor, duke rritur cilësinë e burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit. 500 të rinj e të reja të shtuar sot nuk janë thjesht numra, por janë kapital i rëndësishëm njerëzor i arsimuar mirë, i formuar mirë dhe i motivuar siç duhet. Do vijojmë me intensitet shtimin e kapitalit njerëzor profesional e të mirë-arsimuar”,- garantoi Lleshaj.
Ministri i Brendshëm njoftoj se janë 300 të rinj e të reja që do pranohen si studentë në vitin e ri akademik. Ka shumë kandidat edhe nga Korça, si qark. Po ashtu dhe nga zonat minoritare siç është Pushteci, ku sipas Ministrit Lleshaj do kenë prioritet.
“Ky angazhim i madh do të vijoj më tej. Ne i kemi shtuar policisë edhe njësi të tjera, siç është njësia E, njësia e luftës kundër krimit ekonomik, ku në brendësi ka ekspertë ekonomik. Njësia K, njësia e kapjes së personave në kërkim, që është një risi në strukturën e Policisë së Shtetit dhe ku fal angazhimit të saj dhe ekspertëve më të mirë po kapen dhe persona të shpallur në kërkim 20 vite më parë. Njësia I, ajo e inteligjencës, informacionit, është një kapacitet i ri i shtuar, me fokus të veçantë tek krimi organizuar. Njësia C, ka për detyrë të angazhohet kundër krimit kibernetik, apo kompjuterik”,- tha Lleshaj.
Ministri i Brendshëm tha se, kjo qasje për më shumë njerëz, më shumë kualitet, mjete, teknologji dhe më shumë bashkëpunim me qytetarët, është qasja e duhur që do na çojë në vijimin e tendencës që kemi në të gjithë vendin për parametrat e sigurisë dhe rendit. “Tendencat pozitive të luftës ndaj krimit dhe jo vetëm nuk janë vetëm në Korçë, por në të gjithë vendin. Numri i vrasjeve është përgjysmuar në harkun kohor të shtatë viteve, prandaj ne do vazhdojmë të rrisim grafikën e investimeve, me synim që grafikët e krimit të gjejnë tendencën në ulje gjithnjë e më shumë”,- tha Lleshaj në fjalën e tij në Korçë.