Ndryshojnë procedurat e kryerjes të pagesës nga noteri për rastet e shitjes të pasurive të paluajtshme.
Në Fletoren Zyrtare është botuar Udhëzimi i përbashkët i ministres të Financave, Anila Denaj dhe ministres të Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i cili shfuqizon rregullat e miratuara në vitin 2012.
Në udhëzim shtohen 6 pika të reja, siç është ajo që përcakton rrugët që duhet të ndiqen në rast se noteri pezullohet nga detyra, ndërron jetë ose arrestohet.
Në këto rrethana do të jetë Dhoma Kombëtare e Noterisë që do të caktojë noterin zëvendësues për ekzekutimin e kontratave të shitjes.
Për kryerjen e transaksioneve financiare sipas udhëzimit të ri, noteri nuk mund të përdorë llogaritë e tjera në emrin e tij apo të biznesit.
Një pikë tjetër që shtohet është ajo që ndalon që me paratë e depozituara në llogarinë e noterit për blerje të pasurive të paluajtshme të kryhen veprime përmbarimore apo për shlyerje detyrimesh për administratën tatimore nga noteri kundrejt palëve të treta.