Javanews
Home Kryesoret
Shqipëri-Lituani ora 20:45/ Për fitoren e parë në “Air Albania” dhe historikun e përballjes
07/09/2020 13:26
Shqipëri-Lituani ora 20:45/ Për fitoren e parë në “Air Albania” dhe historikun e përballjes
Luhet Shqipëri-Lituani, në “Air Albania” në orën 20:45. Fatkeqësisht, pa tifozë, që me siguri nuk do të linin ndenjëse bosh në impiantin e ri dhe modern të kryeqytetit, aty ku kuqezinjtë ende nuk e kanë shënuar golin e parë. Gjithsesi, me aleat entuziazmin e fitores së arritur në fushën e Bjellorusisë, “shqiponjat” kuqezi duan me çdo kusht suksesin e radhës, për ta “përshkuar” në pak ditë gjysmën e rrugës drejt vendit të parë në Grupin 4 të Ligës C.
Shqipëria bindi me rezultat dhe lojë në Bjellorusi dhe duke ruajtur të njëjtin përqendrim dhe shpirt, fitorja është krejtësisht e mundshme edhe ndaj përfaqësueses së vendit baltik.
Edy Reja pritet të ndryshojë ndonjë element të formacionit kuqezi, për shkak të zhvillimit të dy ndeshjeve në tri ditë, që ndikon në gjendjen fizike të lojtarëve, të cilët kanë kaluar një periudhë të pazakontë si pasojë e pandemisë së Koronavirusit. Sigurisht mund të ketë rotacion në ndonjë rol, por kurrsesi në mentalitetin që duhet të shfaqë skuadra në fushë.
Lituania nuk është kualifikuar ndonjëherë në një kompeticion të rëndësishëm, siç janë Europiani dhe Botërori, praktikisht konsiderohet një kundërshtar i lehtë në letër. Në fushatën e fundit eliminatore për “Euro 2020” (turneu u shty një vit), u rendit në vendin e fundit në grup me vetëm 1 pikë në 8 ndeshje. Para pak ditësh u mposht në shtëpi 0-2 nga Kazakistani, rivali potencial i Shqipërisë për vendin e parë, dhe faktikisht nuk ka lojtarë me emër, por sigurisht nuk duhet nënvlerësuar, pasi aleat të fortë mund të ketë pikërisht marrjen lehtë nga kundërshtari.
Në Minsk, Shqipëria triumfoi falë përqendrimit maksimal dhe zbatimit me përpikëri të detyrave të dhëna nga Edy Reja, e tillë duhet të jetë qasja e kuqezinjve edhe ndaj Lituanisë, së cilës nuk i duhet lëshuar në asnjë aspekt të lojës, për të mos hedhur poshtë startin perfekt në transfertën e Bjellorusisë.
Edicioni i dytë i Nations League ka nisur me melodinë e duhur, por kujdes, çdo stonim në ndeshjet në vazhdim, qoftë në një “notë”, do ta cënonte “veprën” të cilën duhet ta shijojmë të plotë më 18 nëntor, në “Air Albania”, ndaj Bjellorusisë, me vendin e parë në grup.
Sa i takon kundërshtarit të sotëm, ai pozicionohet 131-ti në renditjen momentale të FIFA-s, shumë poshtë Shqipërisë, e 66-ta; Bjellorusisë, e 87-ta; dhe Kazakistanit, i 118-ti. Historiku i përballjeve me Lituaninë është i tillë: 4 ndeshje, nga të cilat 2 zyrtare dhe 2 miqësore. Përkatësisht ,dy sfidat zyrtare janë ato që janë luajtur për kualifikueset e Botërorit. Ndeshja e parë me lituanezët është ajo e 3 korrikut 1992 (Shqipëri-Lituani 1-0).
Sfida e kthimit, e luajtur në Lituani, ka përfunduar me fitoren e vendasve (Lituani-Shqipëri 3-1), më 14 prill 1993. Ndërkohë, në miqësoren e zhvilluar më 1 mars të 2006, në Shqipëri, Lituania ka fituar me rezultatin 1-2. Është edhe një miqësore tjetër, ku Shqipëria ka fituar 4-1 (26.03.2013), por ndeshja, për shkak se zëvendësimet e kaluan limitin, nuk është njohur nga UEFA.