Tetë zëvendësministra shqiptarë do të jenë pjesë e Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut. Ky numër i përfaqësimit arrihet për herë të parë, për shkak të pjesëmarrjes më të gjerë të partive shqiptare në koalicionin qeverisës. Në bazë të marrëveshjes për bashkëqeverisje, nga 19 dikasteret ministrore, 5 zëvendësministra i takojnë BDI-së, dy zëvendësministra Lëvizjes BESA si pjesë e koalicionit “Mundemi” me LSDM si dhe një post zëvendësministri i takon PDSH-së, përcjell INA.
Gjatë ditëve në vijim lista e zëvendësministrave pritet që të marrë dritë jeshile në Kuvend. Megjithatë finalizimi i saj po pritet nga ana e kryeministrit Zoran Zaev me partitë më të vogla të koalicionit “Mundemi”. Siç mëson INA, LSDM si subjekt pritet ti takojnë vetëm tre poste zëvendësministrash, për shkak të shpërndarjes për partnerët e koalicionit si partitë DOM, PLD dhe subjekte tjera si ato turke, rome dhe serbe. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka finalizuar listën e zëvendës ministrave në Qeverinë e re dhe tashmë këta janë emrat e përzgjedhur.
Zëvendësministër i MPB-së, Nazim Bushi. Zëvendësministër i Drejtësisë, Agim Nuhiu.
Zëvendësministër i Mbrojtjes, Bashkim Hasani. Zëvendësministër Transport dhe Lidhje, Bekim Rexhepi. Zëvendësministër i Shëndetësisë, Dr.Ilir Hasani. Lëvizja Besa si pjesë e Qeverisë në kuadër të koalicionit “Mundemi” do të ketë dy zëvendësministra në Arsim dhe Kulturë. Zëvendësministër i Arsimit, Arafat Shabani. Zëvendësministër i Kulturës, Sedat Sulejmani.
Partia Demokratike Shqiptare do të ketë një post zëvendësministri në Ministri të Jashtme për ku siç mëson INA është përzgjedhur Fatmire Isaku, zëdhënësja e kësaj partie. Zëvendësministre në MPJ, Fatmire Isaku. Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se gjatë ditëve në vijim pritet që të votohen zëvendësministrat. Ai tha se po zhvillon bisedime dhe konsulta me kandidatët dhe se ky proces është drejt finalizimit.