Lajmi që bëri më shumë bujë gjatë kësaj fundjave, ka qenë ai i publikimit të një deklarate personale, që i është kërkuar të firmosi çdo kandidat për deputet i PD në zgjedhjet e 2021. Me anë të saj, të 3860 të eleminuarit ndër 4 000 të nominuarit nga e gjithë Shqipëria, u është marë me shkrim një betim se do ti qëndrojnë besnikë partisë dhe kryetarit të tyre. E do tu përdoret kundër karrierës së tyre politike nesër, nëse nuk do ti përmbahen asaj.

Është e qartë se një hall shumë i madh, mund ta detyrojë liderin e një partie që u krijua në emër të luftës kundër komunizmit, që të përdori metodat më obskurantiste të një partie diktatoriale, pas 30 vjetësh demokraci. E ta mendosh, që pas kësaj, asnjë media pranë opozitës dhe propogandës së saj nuk i bënë jehonë këtij lajmi. Ndërkohë që nuk rreshtin natë e ditë, së etiketuari PS për gjëra që as nuk i afrohen kësaj deklarate turpi të PD. Do të ishte interesante se çfarë do të thonin për Edi Ramën, ato që heshtin sot, për Lulzim Bashën.

Është sindroma e tmerrshme e listës së kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të 2017, ajo që e ka detyruar Bashën të kopjojë partinë e Berishës. Për të bërë në emër të PD, atë që vetëm Partia e Punës e Shqipërisë, ka guxuar që ta bëjë me anëtarët e vet në statutin famëkeq të 1966. Duke rikujtuar për brezat e rinj, se bëhet fjalë për vitin e fillimit të Revolucionit Kulturor Kinez, që solli një nga periudhat e gjutisë më të përgjakshme ndaj liberalizmit në historine e pas Luftës II Botërore në Shqipëri.

Kjo sindromë ka të bëjë me gabimin që vetë Lulzim Basha bërë me listat, duke flakur jashtë Jozefina Topallin, Genc Rulin, Besnik Mustafajn, Astrit Patozin, Ridvan Boden, Arben Imamin, etj për të futur në të ata për të cilët sot deklaron se i vjen turp që janë në Parlament. Që nga deputetet e “kaparatave”, e deri tek “kaçurrelsat sevdallinj” dhe “mbretërorët republikanë”. E për këtë gabim të tij historik, Lulzim Basha jo vetëm që nuk është në gjendje të kërkojë falje, por tani mësohet se e ka thelluar akoma edhe më tej. Duke kaluar në ekstremin tjetër.

Sesa ngjajnë rregullat e partisë së dikurshme të Sali Berishë, me partinë e sotme të Lulzim Bashës, po ua ofrojmë të plota rregullat e tyre që ngjajnë si dy pika loti edhe pse në një distancë kohore prej 56 vjetësh nga njëra- tjetra:

STATUTI I PPSH I VITIT 1966

Anëtari ka për detyrë:

a) të ruajë me vendosmëri unitetin dhe pastërtinë e radhëve të partisë, kusht kryesor i fuqisë dhe i pathyeshmërisë së saj; partia nuk lejon qenien e fraksioneve në gjirin e saj;

b) të zhvillojë autokritikën dhe kritikën pa kufizim, sidomos kritikën nga poshtë lartë, të jetë i rreptë e i pamëshirshëm ndaj vehtes për të metat e gabimet e tij, të cilat të mos ia fshehë partisë, po kështu të jetë edhe ndaj të metave dhe gabimeve të të tjerëve, t’i zbulojë ato me shëmbullin e luftën e tij të drejtë të ndihmojë për ndreqjen e tyre, të jetë i papajtueshëm me mbytësit e kritikës dhe me ata që pengojnë zhvillimin e saj, që e zëvendësojnë atë me fjalë të bujëshme e lavderime; të luftojë kundër të kenaqurit me pak, vetkënaqësisë dhe kundër dehjes nga sukseset;

c) të kritikojë në mbledhjet e partisë veprimtarinë dhe sjelljet e çdo anëtari të partisë, pavarësisht nga vendi që ka;

Për shkelje të unitetit të partisë, moszbatim të vendimeve të organeve më të larta dhe faje të tjera në kundërshtim me vijën e partisë, për organizatat e partisë merret si masë ndëshkimore përsëritja e regjistrimit të përgjithshëm të komunistëve (shpërndarja e organizatës së partisë). Vendimi për përsëritjen e regjistrimit të përgjithshëm të komunistëve hyn në fuqi vetëm pasi të aprovohet nga Komiteti Qendror i Partisë.

DEKLARATË PERSONALE E KANDIDATIT të PD më 2020

Unë, ___________, deklaroj me përgjegjësinë time sa më poshtë vijon:

Do të mbeshtes Partinë Demokratike të Shqipërisë, pavarësisht nga ecuria e mëtejshme e garës së brendshme, duke dhënë të gjithë kontributin tim për fitoren e thellë të saj.

Nuk do të përfshihem në asnjë retorikë që sjell diferencime dhe përçarje brenda partisë.

Nuk do të ndërmarr asnjë veprim kundër kandidatëve të tjerë në garë dhe angazhohem të mos bëj asnjë koment negativ për ta.

Nuk do të përfshihem në asnjë praktikë të ndaluar, që dëmton garën e lirë, të ndershme dhe të barabartë brenda partisë.

Do të kujdesem për realizimin e një procesi të rregullt të konfirmimit të kandidatëve dhe nuk do të kryej asnjë akt që dëmton procesin.

Do të ruaj frymën e bashkëpunimit dhe të gjithëpërfshirjes para, gjatë dhe pas përfundimit të procesit të konfirmimit dhe deri në ditën e zgjedhjeve.

Jam i ndërgjegjshëm dhe kam dijeni se, sipas Udhëzimit nr. 60, datë 25.06.2020 të Kryesisë së Partisë “Për miratimin e rregullave për realizimin e procedurës së propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave për përfaqësim politik të Partisë Demokratike, në nivel qendror dhe lokal”, shkelja e këtyre zotimeve passjell skualifikimin e menjëhershëm nga Lista e Kandidatëve të mundshëm, që do të përfshihen në procesin e konfirmimit nga anëtarësia apo që i dorëzohen Kryesisë së Partisë pas procesit të konsultimit.

KANDIDATI:

(emër, mbiemër, nënshkrim)-

Alpenews.al