Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko u takua të hënën në qytetit rus të Soçit, në brigjet e Detit të Zi, me homologun rus Vladimir Putin. Zoti Lukashenko kërkoi mbështetje kritike për qeverinë e tij nga udhëheqësi rus, në atë që do të ishte takimi i tyre i parë që kur udhëheqësi i Bjellorusisë u rizgjodh muajin e kaluar, gjatë një procesi zgjedhor që kritikët thonë se ishte i manipuluar.
Rusia ka rëndë dakord t’i jap Bjellorusisë një hua prej 1,5 miliard dollarësh.
Ndërkohë në Gjenevë, shefja e Këshillit të OKB-së për të Drejtave të Njeriut tha të hënën se akuzat për torturë gjatë protestave kundër rizgjedhjes së zotit Lukashenko, duhet të hetohen. Në fjalën e hapjes në Këshillin e OKB-së për të drejtat e Njeriut Michelle Bachelet tha se “duke pasur parasysh shkallën dhe numrin e tyre, të gjitha akuzat për torturë dhe forma të tjera të keqtrajtimit nga forcat e sigurisë duhet të dokumentohen dhe hetohen, me qëllimin për t’i vënë autorët para drejtësisë”. Këshilli njoftoi se do të zhvillojë një debat urgjent mbi dhunën.
Të paktën 100 mijë qytetarë dolën rrugëve të kryeqytetit Minsk të dielën, në njërën nga demonstratat më të mëdha kundër Presidentit Lukashenko, që nga zgjedhjet e kontestuara të 9 gushtit që ai pretendon se i fitoi ndërsa opozita i quan të manipuluara.
Si pjesë e mbështetjes së saj për Bjellorusinë, Moska ka ofruar dërgimin e njësive speciale të policisë ruse nëse do të jetë e nevojshme.
Policia njoftoi arrestimin e më shumë se 400 protestuesve në Minsk. Të tjera arrestime u bënë gjatë orëve të mbrëmjes.
Protesta të reja në Bjellorusi
Ndërsa zemërimi i publikut vazhdon të rritet ndaj zotit Lukashenko, i cili sundon në këtë republikë ish-sovjetike prej 26 vjetësh, Moska i ka ofruar atij mbështetje, duke thënë se do të dërgojë në Bjellorusi trupa parashutiste për stërvitje të përbashkëta me emrin “Vëllazëria Sllave”.
Protestuesit thonë se zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit u fituan nga Sviatlana Tsikhanouskaya. Që nga ajo kohë udhëheqësit kryesorë të opozitës janë arrestuar ose larguar nga vendi, si zonja Tsikhanouskaya e cila ndodhet në Lituani.
Zoti Lukashenko mohon akuzat për manipulim zgjedhjesh duke akuzuar fuqitë e huaja për nxitje të protestave kundër tij.
Turma e protestuesve marshoi rrugëve të Minskut drejt ndërtesave qeveritare, ndërsa qindra pjesëtarë të njësisë speciale të policisë bllokuan rrugën.
Agjencia ruse e Lajmeve “Interfax” njoftoi për të shtëna në ajër, që protestuesit të mbaheshin larg zonës ku jetojnë udhëheqësit e vendit.