Në shtator 2020, krahasuar me muajin qershor, ka rritje të opinionit pozitiv të banorëve të Tiranës, për punën e policisë së qarkut të tyre (është ngjitur në nivelin 62%).
Ndërkohë, ka patur edhe një ulje të opinionit negativ (ka zbritur në nivelin 24%). Një prirje shumë e ngjashme vërehet edhe në rang vendi. Kuota më e ulët pozitive (49%) u regjistrua në fillim të korrikut 2019, pas trazirave të 30 qershorit 2019.
Rreth 63% e banorëve të qarkut Tiranë (16 vjeç e sipër) mendojnë se kriminaliteti është i ulët në zonat ku jetojnë. Ndërkohë, 24% mendojnë se është mesatar. Në pjesën tjetër të vendit, perceptimi për nivelin e kriminalitetit në zonat e banimit është disi më i lartë se në Tiranë (Grafikët 4 dhe 5).
Banorët e qarkut Tiranë (16 vjeç e sipër) kanë ndjerë një prani më të lartë të policisë në zonat ku jetojnë, krahasuar me pjesën tjetër të vendit.
Rreth 63% e banorëve të qarkut Tiranë (16 vjeç e sipër) mendojnë se puna e policisë ndikon në parandalimin e vjedhjeve/grabitjeve/krimeve në zonat ku jetojnë. Ndërkohë, 24% e banorëve të këtij qarku mendojnë se nuk ndikon.
Sondazhi realizohet nga statisticieni Eduard Zaloshnja, në kuadër të projektit “Monitorimi i opinionit publik në qarkun Tiranë (krahasuar me qarqet e tjera) mbi rolin e policisë në jetën e përditshme të komunitetit”, të financuar nga Programi Suedez për Forcimin e Policimit në Komunitet në Shqipëri (SCPA).
Përmes këtij projekti, monitorohet periodikisht opinioni i komuniteteve (në qarkun Tiranë, krahasuar me qarqet e tjera) në lidhje me punën e policisë në to. Vetë forma e sondazhit (elektronik) krijon mundësi për kryerjen e çdo sondazhi brenda fare pak ditëve.