Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali deklaroi sot se opozita nuk arrin të pranojë faktin se ndryshimet kushtetuese janë miratuar dhe janë një realitet faktik. “Me ndryshimet në kushtetutë do mundësohet votimi i emigrantëve dhe shpresojmë që edhe në Kodin e ri Zgjedhor të parashikohet, por jemi duke pritur draftin. Ne i kemi dhënë opsionet tona”, tha Spiropali e ftuar në një emision televiziv.

“Durimi ynë është i pafund. Kemi një vit e gjysmë dy që presim opozitën nga tryeza në tryezë dhe aktualisht nuk pranojnë faktin se ndryshimet kushtetuese kanë kaluar dhe janë një realitet faktik. Ata thonë se nuk duhet të kishin kaluar ndryshimet kushtetuese. Ne i kemi votuar në Kuvend dhe tani presim që ato t’i zbatojmë në Kodin e ri Zgjedhor dhe opozita kthehet te kushtetuta”, u shpreh Spiropali.

Duke kaluar te marrëdhëniet me ndërkombëtarët, Spiropali u shpreh se “fondet që u ngritën për rindërtimin, Lulzim Basha nuk i ngrinte dot sikur të kishte 10 jetë. “Pra për ndërkombëtarët na e qajnë hallin”, tha ajo. Në lidhje me projektin e Rindërtimit, Spiropali u shpreh se bëhet fjalë për projekt të gjerë.

“Fondet e rindërtimit nuk janë llogari të thjeshta ato janë projekte, lagje ne Thumanë, në Krujë në Shijak në Lezhë, në Kavajë në Rrogozhinë në Kamëz, në Vorë këtu në Tiranë. Janë njësi individuale banimi, janë pallate, janë shkolla, janë qendra shëndetësore që po ndërtohen. Nuk janë fjalë të bukura, janë projekte dhe këtë krizë të jashtëzakonshme ne e kemi kthyer në një mundësi të re. Dhe thonë nuk i kanë marrëdhëniet mirë me ndërkombëtarët. Pastaj kur del se jemi krejt të mirëkuptuar me ndërkombëtarët dalin e sulmojnë ambasada, ambasadorë”, tha ajo.