Kryetari i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Enver Roshi, së bashku me anëtarët e këtij komisioni, zhvilluan një vizitë pune në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, për të parë nga afër punën e bërë nga kjo agjenci dhe për t’u njohur me problematikat e Farmaceutikës, në vendin tonë, veçanërisht në situatën e krijuar prej COVID-19. Narvina Sinani, Drejtoresha e Përgjithshme e A.K.B.P bëri një panoramë të punës së kësaj agjencie dhe sqaroi se Agjencia Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore shërben për rregullimin e tregut farmaceutik, si atë privat dhe atë publik.
Më tej, Sinani bëri një ekspoze të mënyrës së funksionimit të Agjencisë dhe sektorëve përkatës. “Misioni i kësaj Agjencie është i fokusuar ne drejtimet si: ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e detyrimeve që lidhen me farmakovigjilencën, miraton, sipas rregullave të parashikuara në ligj, formatin e publicitetit për barnat,bashkëpunon me institucione analoge jashtë vendit si dhe institucione të tjera brenda vendit, për çështje të ndryshme të fushës farmaceutike dhe të pajisjeve mjekësore, propozon pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, ndryshime në aktet ligjore dhe nënligjore, me qëllim plotësimin dhe përmirësimin e legjislacionit përkatës, kryen procesin e regjistrimit bazuar në standardet e parashikuara, për pajisjet mjekësore dhe zhvillon procesin e inspektimit për barnat dhe pajisjet mjekësore, në përputhje me aktet ligjore dhe ato nënligjore”, tha ndër të tjera Sinani. Më tej, mbledhja vijoi me pyetje, komente dhe sugjerime në lidhje me punën e bërë dhe atë që mund të bëjë në të ardhmen Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në mbështetje të punës së Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.