Akujt dimërorë në Detin Bering, në Paqësorin e Veriut midis Alaskës dhe Rusisë, nuk kanë qenë kurrë kaq të reduktuar në 5 500 vjet, sipas një studimi të botuar sot.
Ekipi i studiuesve analizoi bimësinë e grumbulluar gjatë 5 500 viteve në ishullin e pabanuar të Shën Mateut, duke përfshirë variacionet me kalimin e kohës (dhe shtresat e torfës) të dy varieteteve të oksigjenit, izotopeve 16 dhe 18, përqindja e të cilëve është e ndërlidhur me ndryshimet atmosferike dhe oqeanike, si edhe me reshjet.
“Deti Bering në dekadat e fundit dukej i qëndrueshëm me përjashtim të vitit 2018 dhe 2019, kur u vu re një reduktim i mprehtë. Pyetja është nëse kjo përbën një anomali apo një trend”, shprehen autorët e studimit.
“Ajo që kemi vërejtur kohët e fundit është e pashembullt në gati 5 500 vjet”, shkruan Matthew Wooller, drejtor i Alaska Stable Isotope Facility, i cili mori pjesë në analizë.
“Ky ishull i vogël në mes të Detit Bering ka regjistruar atë që ka ndodhur në oqean dhe atmosferën përreth tij”, tha në një deklaratë Miriam Jones, studiuesja që udhëhoqi studimin në Universitetin e Alaskës, pastaj në Byronë amerikane të Kërkimeve Gjeologjike.
Sipas autorëve, me këtë ritëm, kushtet janë të favorshme për një Det Bering plotësisht pa akull, me pasoja-zinxhir në ekosistem.