Një studim i përgatitur nga specialistët e Bankës së Shqipërisë, argumenton se, kriza e papritur që solli COVID-19, i ka shtyrë shqiptarët të rrisin kursimet në para. k Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit korrik totali i depozitave arriti në 1.23 trilionë lekë ose afërsisht 10 miliardë euro. Depozitat bankare u rritën me 36 miliardë lekë ose 290 milionë euro që nga fillimi i këtij viti.

Në lidhje me pritshmëritë për të ardhmen, të dhënat e vrojtimeve të BSH-së tregojnë se pritjet e individëve për kursim, evidentojnë një ngadalësim të tyre për 12 muajt e ardhshëm. Studimi citon se, “duke iu referuar studimeve të ngjashme, një sjellje e tillë konsumatore e individëve evidentohet gjithashtu në shumicën e vendeve të Rajonit dhe të Bashkimit Europian. Madje, në BE rritja e kursimeve gjatë tremujorit të parë të këtij viti ishte më e larta në 20 vitet e fundit”.