Nënshkrimi i Luis Suárez me Juventusin është shumë afër. Kështu shkruan katalanasja Sport, duke iu referuar edhe informacioneve nga Italia. Shifrat që po merren në konsideratë janë rreth 10 milionë euro në sezon, në një kontratë 3-vjeçare. Po kështu, uruguajani duhet të plotësojë edhe një kusht, të kalojë testin e gjuhës italiane dhe të sigurojë pasaportën e këtij vendi në ditët e ardhshme, në mënyrë që të mos zërë një pozitë ekstrakomunitari.
Sidoqoftë, dhe paralelisht me procesin burokratik që Luis Suárez duhet të kapërcejë, Barça dhe Juventusi kanë përparuar në negociatat për sulmuesin 33-vjeçar. Ashtu si me Rakitic, klubi Blaugrana ka përparësi heqjen qafe të një rroge të madhe vjetore nga borderotë. Sipas gazetarit Tancredi Palmeri, të dyja klubet kanë arritur një marrëveshje ekonomike në parim prej 3 milionë eurosh plus 13 të tjera në formë bonusesh. Nga 13 milionët bonuse, gjysma do të ishte e lehtë për t’u përmbushur, ndërsa gjysma tjetër do të varet nga performanca e Juventusit në Ligën e Kampionëve. Sidoqoftë, Barça dhe Luis Suárez duhet të bien dakord të zgjidhin kontratën aktuale. Lojtarit i mbetet një vit në të, por sipas uruguajanit, nëse do të lunate sezonin e ri, ajo do të rinovohej automatikisht deri më vitin 2022. Nëse të dy palët gjejnë një rrugë të mesme, atëherë gjithçka do të zgjidhet dhe testi i gjuhës italiane do të ishte pengesa e fundit e Suarez, para se të firmoste zyrtarisht me Juventusin.