Menjëherë pas përfundimit të seancës së sotme stërvitore me Barcelonën, su lmuesi uruguaian Luis Suarez ka fluturuar drejt qytetit italian të Perugias, ku iu nënshtrua provimit të gjuhës, si pjesë e procedurës për të marrë nënshtetësinë italiane. Lajmi u dha nga mediat spanjolle, ndërsa më vonë u publikuan edhe foto të su lmuesit të Barçës nga qyteti i Perugias, duke shkuar në Universitetin për të Huajt, ku edhe testoi njohuritë e tij mbi gjuhën italiane.
Provimi zgjati diçka më tepër se një gjysmë ore dhe sulmuesi uruguaian e kaloi me sukses, ndërsa tani marrja e pasaportës italiane është edhe më pranë, ndonëse procedurat vijojnë ende. Suarez nuk bën më pjesë në planet e Barcelonës dhe ishte pranë transferimit te Juventusi, por klubi bardhezi hoqi dorë, pasi sulmuesi nuk ka një pasaportë europiane dhe torinezët nuk kishin vend të lirë për futbollistët ekstra-komunitarë. Ndonëse Suarez po ngulmon të qëndrojë te Barcelona edhe në vitin e fundit të kontratës, ka vendosur t’i paraprijë çdo situate, duke marrë edhe nënshtetësinë italiane, çka do t’ia bënte më të lehtë transferimin nga katalanët.
Gjithsesi në Spanjë janë të bindur që e ardhmja e Suarez do të jetë te klubi “blaugrana”, pasi katalanët nuk kanë ndërmend të paguajnë 15 milionë euro për prishjen e parakohshme të kontratës së tij, ndërsa vetë uruguaiani është gati të niset nga stoli dhe të fitojë me meritë një vend titullari.