Tashmë është zyrtare, Luis Suarez është larguar nga Barcelona për t’u transferuar te Atletico Madrid. Ronald Koeman nuk e deshi në skuadrën e tij dhe kështu, uruguaiani, shoku më i mirë i Lionel Messit, u detyrua të kërkojë skuadër të re, duke nënshkruar me ekipin e Diego Siemeones. Ai largohet nga Barcelona si golashënuesi i tretë më i mirë në histori të klubit, pas Cesarit dhe Lionel Messit.
Suarez është në podium me 198 gola, para tij janë Cesar me 232 gola dhe i shkëputur shumë nga të dytë, Lionel Messi, me 634 gola. Suarez largohet nga Barça edhe me shumë trofe. Për gjashtë sezone, ai fitoi 13 trofe; 4 La Liga, 4 Copa del Rey, 2 Superkupa të Spanjës dhe nga një Uefa Champions League, Kupë të Botës dhe Superkupën e Evropës.
Suarez pritet ta veshë për dy sezone fanellën e Atletico Madrid, ku pasi për shumë sezone përjetoi emocionin e El Clasico dhe shënoi shumë gola, tani do të përjetojë edhe emocionet që të dhuron një derbi, derbi i Madridit.