Televizioni Syri.net ka nxjerrë bllof zëdhënësen e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila një ditë më parë deklaroi se bashkëshorti i Valbona Ramës nuk është Shpëtimi, i cili ka firmosur kontratën për marrjen e dëmshpërblimit të dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit me Bashkinë e Tiranës. Në një kronikë të sotme të publikuar nga ky televizion, çifti jo vetëm që shfaqen bashkë brenda shtëpisë, por gazetarja përmend edhe emrin e dy bashkëshortëve që përkojnë plotësisht me emrat e publikuara nga Bashkia e Tiranës ne deklaraten e djeshme, duke zbuluar edhe gënjeshtrën e zëdhënëses së PD-së.
Për rastin ka reaguar edhe zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Renato Kalemi, i cili shkruan se spikerja e Bashës ka mashtruar dy herë mediat për Shpëtim dhe Valbona Ramën. “E vërteta nuk vonon! Spikerja e Bashes mashtroi dy herë mediat dje për Shpëtim dhe Valbona Ramën, por sot e vërteta doli në shesh: Pra, jo vetëm Valbona ka marrë dëmshpërblimin e tërmetit të 21 shtatorit dhe për pak ditë merr edhe lekët e 26 nëntorit, por Shpëtimin e paska burrë”, shkruan Kalemi, i cili ka publikuar edhe faturat ku Shpëtim Rama ka firmosur tërheqjen e lekëve për dëmet e tërmetit të 21 shtatorit, dhe kontratën e firmosur nga Shpëtim Rama për dëmshpërblimin e dëmeve të 26 nëntorit.