Nga Rudina Xhunga/
Pogradeci nuk është një nga ato qytete që vjen një ditë, rri një darkë, ikën të nesërmen dhe mbaroi. Në Pogradec rrihet me muaj. Pogradeci është një qytet ku vjen e s’të iket më. Shko në liqen. Nga liqeni pastaj te Taso. Mos e lër pa shkuar një herë në atë rrugicë ku ka shtëpinë një nga njerëzit më identifikues të Pogradecit, piktori i liqenit, Taso.
Intervista me Anastas Kostandinin-Taso
Rudina Xhunga: Ky është Pogradeci siç ka qenë dikur. Nëse s’e ngatërroj, brenda është Pogradeci siç Taso do që të jetë. Këtu është siç ka qenë. Kështu rrinë njerëzit në pikturat e Tasos që kam edhe unë në shtëpi. Rrinë dhe presin që të ndodhë. Unë nuk e ngatërroj ë? Te dera është Pogradeci siç ka qenë dhe brenda siç do të doje ti të ishte?
Taso: Po. E mbajtke mend. Kjo është rrugica siç ka qenë dikur. Kanë qenë banorët e vjetër, se tani janë zëvendësuar. Megjithatë unë e ruaj, sepse këtu jam rritur.
Rudina Xhunga: Ndërsa këtu (pas dere) është Pogradeci siç do ti të jetë. Me kaq shumë ngjyra.
Taso: Kjo është nxjerrë nga një pjesë fundore e ikonave. Zakonisht ikonat kanë diçka që lidhet me Jerusalemin e ri. Dhe Jerusalemi i ri është qyteti ideal. Kjo është një lojë më tepër për t’i marrë mendjen vetes. Është kënaqësi që ke ardhur këtu!
Rudina Xhunga: Edhe për mua. Unë këtu vij përsëri, e përsëri. E bëra rrugën deri këtu me varkë edhe e di ç’më tha ai i varkës, pogradecar i vjetër?
-“Te Taso po shkon? Te Taso është kënaqësi.
Taso: Më duan bashkëqytetarët. Më respektojnë.
Rudina Xhunga: Me biçikletë lëviz?
Taso: Po, po e përdor. Unë kam një biçikletë tjetër që e mbaj sipër në tarracë. Është biçikleta Bjanka që e kemi trashëguar. Me atë kam bërë me mijëra peizazhe, nuk më vinte për ta hedhur. Tani kam marrë biçikletë tjetër. Makinën e përdor me raste, kurse biçikletën më dendur.
Rudina Xhunga: E di çfarë është një qytet për mua? Qyteti nuk është kulla betoni, apo bashkia. Qyteti është njeriu. Pogradeci për mua është Taso. Nuk e kuptoj, si mundem unë të vij në Pogradec dhe të mos e takoj Tason.
Taso: Faleminderit!
Rudina Xhunga: Është edhe Lasgushi. Pogradeci është i Lasgushit. Unë mbas teje do të vete të takoj Lasgushin, por e paske sjellë këtu më duket?
Taso: Po. Në fakt ky është një trill. Por është një trill që mua më ka kënaqur shumë. Kjo është pjesë e një mbeturinë industriale, por e përthyer në një mënyrë të dhunshme. Unë e kam shkëputur. Kjo ka qenë një cisternë, në ish-fabrikën e vjetër të verës në Pogradec, e cila u dëmtua, shkatërrua nga njerëzit në ’97-ën. Mua më ka pëlqyer ta marr dhe ta përdor. Se kjo në vetvete është e bukur si formë.
Rudina Xhunga: Unë e dallova menjëherë që është Lasgushi. Dhe pse ai nuk është.
Taso: Në fakt dalluese është kjo kapelja, e cila është krijuar nëpërmjet një shablloni buke, nga fabrika e bukës së Pogradecit.
Rudina Xhunga: S’mund të jetë përveçse me gjëra Pogradeci, Lasgushi.
Taso: Është dhe bastuni. Kështu që mjafton kaq për ta skicuar Lasgushin, por edhe për ta kujtuar në një mënyrë ekspresive.
Rudina Xhunga: Ke bërë edhe një gjë tjetër në ‘97-ën. Ma ke treguar dikur. S’e mbaj mend mirë. Me plumbat në mur.
Taso: Po kam bërë. Në fakt kam një aty. Është një nga këto tubacionet e ujit të pijshëm të qytetit, që u hodh në erë dhe pjesën e prerë të tubit e gjeta dhe e shndërrova në një vepër arti.
Rudina Xhunga: Këtë bëjnë njerëzit e mirë, njerëzit e mrekullueshëm, të mëdhenj. Tasos nuk i pëlqen fare t’i them këto gjëra, por i them se i ndjej vërtet. Dhe jam e lumtur që njerëz të tillë kanë atë lloj përgjegjësie për qytetin që të ta bëjnë të jetueshëm dhe të bukur, siç është Pogradeci, edhe saj teje, edhe Lasgushit që është aty pa qenë.
Taso:Ai vinte shpesh këtu te mua. Vinte në shtëpinë tonë. Vinte sepse njihte babanë, ishin shumë miq.
Rudina Xhunga: Shkon dhe e shikon aty, Lasgushin e Mumtaz Dhramit?
Taso: Po sigurisht që e shikoj. Tani është gjelbëruar sepse kanë bërë sheshin e luleve. Ia kanë prerë pak pamjen e plotë statujës, megjithatë është bukur. Dëshira është e mirë e bashkiakëve për ta zbukuruar atë qendër dhe për ta bërë shumë më të rehatshme për njerëzit.
Rudina Xhunga: Por prapë ti ndjehesh fajtor që Lagushi nuk flet nga shtëpia e vet.
Taso: Ky është një trishtim i madh shumë. Imagjino tani, Lasgushi piktor, poet, me një jetë shumë të gjatë, me një marrëdhënie të jashtëzakonshme me qytetin. Sikur të marrësh vetëm pjesën e historisë. Nese do të qe një shtëpi të vogël, si ajo e tij, ajo do të jetë mbase shtëpia më e vizituar në Shqipëri. Dhe pse të mos jetë?
Rudina Xhunga: Ajo është e prishur tani?
Taso: Jo nuk është e prishur, por është kthyer në pronë private dhe është jashtë funksionit. Ai nuk e përdor. Duhet gjetur një zgjidhje.
Rudina Xhunga: Bëjeni qytetin me shtëpi Lasgushi se pastaj do të ndodhë si te shtëpia e Tasos. Do të vijnë njerëzit, sepse këtu vjen dhe rehatohesh. Gjen rehatinë e shpirtit që s’ta japin shumë gjëra, s’ta jep asgjë. Sidomos në kohë pandemie, kohë fushate, kur njerëzit bërtasin, ca të tjerë kanë ankth, ca të tjerë vdesin. Ti vjen në shtëpi të tilla edhe çlodhesh. Mua kështu më ndodh jo vetëm kur jam me kamera, unë vij dhe pa kamera.
Taso: Po juve ju kemi mikeshë të familjes. Jeni gjithmonë e mirëpritur.
Rudina Xhunga: Këtu mbaj mend kam zgjedhur një pikturë, sapo kishte lindur Ledia. Në mur ishte piktura e Ledias që ushqente fëmijën dhe unë e mora për vete, për ushqimin e Alanës atëherë.
Taso: Nuk na vjen fare keq. Megjithëse ajo ishte një pikturë shumë intime e imja, që ia kisha bërë vajzës që sapo kishte lindur djalin. Dhe atë e ke ti. Gjithmonë e kam parasysh një gjë të tillë. Unë e kam në foto, por nuk e kam zakon t’i riprodhoj punët.
Rudina Xhunga: E mora se më pëlqeu shumë. Sapo kisha lindur dhe unë Alanën atëherë dhe e mora pikturën e Ledias. Pastaj gjërat vazhduan sepse kur unë shkrova “Përrallat e Pitilushes”, Ledia bëri skicën dhe historia vazhdoi. Kështu janë njerëzit. Takohen një ditë në art dhe nuk ndahen më asnjëherë. Këto janë marrëdhëniet që të shoqërojnë gjithë jetën. Siç është Lasgushi në shtëpinë time. Ti ke bërë katër piktura të vogla, çfarë dukej nga dritarja e Lasgushit dhe i kam unë. I kam blerë te ti. Më duket edhe mua sikur e kam njohur Lasgush Poradecin. Çfarë qyteti, çfarë njerëzit që ka bërë ëë? Nuk e di, por ky është vërtet një qytet që të thërret nëpërmjet tyre dhe është e pafalshme që ata nuk kanë një shtëpi, strehë si kjo.
Taso: Që të dy e kanë shtëpinë. Po kjo është më e pafalshme dhe i bën me faj të dyja autoritetet, qendrore dhe vendore. Ne që jemi pinjollët e tyre dhe që i duam nuk e dëshirojmë këtë gjë. Sepse pa ta nuk kemi identitet. Është pasoja e tyre që përtypim gjithmonë. Dhe në këtë mënyrë transmetohet kultura.
Rudina Xhunga: Çfarë ka Pogradeci përveç Lasgushit dhe Mitrushit që ti s’e le kurrë dhe e tregon kaq shumë?
Taso: Pogradeci ka realitetin e njerëzve të mi. Ka jetën e familjes sime, që është një histori jete qyteti. Unë kam marrë dhe gruan nga Pogradeci.
Rudina Xhunga: Elsa është pogradecare, prandaj e ka mbushur me aq shumë lule. Ato janë vepër arti më vete.
Taso: Elsa është nga familja e njohur e fotografëve të Pogradecit. Me Misto Cicin dhe Pandi Cicin. Kanë qenë tre vëllezër fotografë, por më i famshmi ishte Misto Cici, i cili ka bërë një mrekulli. Për fat të keq nuk e njohin. Ai është tamam në rangun e Mitrushit dhe të Lasgushit. Ka fiksuar ekzotiken e një qyteti të vogël nga Lufta e Parë Botërore, deri mbas ’44-ës. Se pastaj ai është marrë me punë të tjera dhe të gjitha fotografitë që ka bërë në atë periudhë i mbylli në çati. Më vonë u zbuluan dhe priten që të publikohen.
Rudina Xhunga: Unë që kur të kam njohur Taso ti ke qenë cicëroni më i mirë i këtij qyteti për mua. Për vete s’ke folur asnjëherë. Madje kur erdha këtu për herë të parë, kujtova se e kishe muze, nuk e dija që ishin të tuat. Aq pak flisje për vete dhe aq shumë tregoje për të tjerët.
Taso: Në fakt në Pogradec ka pasur shumë njerëz të mëdhenj. Unë po ju përmend një person, midis shumë të tjerëve, si aktori i famshëm Mario Ashiku, i cili është miku im i zemrës, me të cilin kam punuar për një kohë të gjatë. Është vërtetë një artist i mrekullueshëm, ka qenë. Ka krijuar një ringjallje të kulturës në Pogradec, nëpërmjet regjisë së tij.
Rudina Xhunga: Gjithmonë më duket e çuditshme këtu. Ti vjen dhe njerëzit të thonë se ajër si këtu nuk ka. Ti vjen dhe këtu je si në film dhe një pjesë është virtuale, realisht si film, si shtëpia e Tasos. Një pjesë është shkatërrim, është lënë siç ka qenë dhe s’e prek njeri. Në një gjendje pezull, as jetë, as vdekje.
Taso: Po duhet të ketë vëmendje ndaj Pogradeci, ta marrin seriozisht. Sepse Pogradeci nuk dominohet vetëm nga bukuria, panorama e liqenit, e mjafton të shohësh liqenin dhe gjithçka të ka servirur. Jo nuk është vetëm kjo. Nuk e tregon veten në mënyrë kaq të përciptë Pogradeci. Është jeta e brendisë së qytetit dhe njerëzve që kanë jetuar këtu. Vangjush Mio ka bërë mbi 60 e ca peizazhe të mrekullueshme këtu. I ka bërë para ‘44-ës.
Rudina Xhunga: Ke piktura të Mios këtu?
Taso: Vepra origjinale të Mios nuk kam. Por unë e kam pikturuar Mion se e kam pasur idhull. Ai ishte një piktor që e donte shumë Pogradecin.
Rudina Xhunga: Domethënë ti punët e Mios nuk i ke. Por ke Mion, Lasgushin, ke Kadarenë, i ke të gjithë këtu.
Taso: Po. Në fakt Mio vinte pikërisht te ky turizmi i vjetër. Prej parkut që ishte aty pikturonte peshkatarët, varkat që ankoroheshin atje. Vangjush Mio nuk duhej të zhdukej në këtë mënyrë. Nuk e di përse shoqëria jonë ecën përpara nëpërmjet mohimeve dhe shumë rrëmujave, përmes shumë prishjeve dhe punët boshe. Për fat të keq.
Rudina Xhunga: Për fat të keq. Po për fat të mirë ka të tjerë si ti që i ruajnë, kujtojnë dhe tregojnë. Kështu që ka shpresë.
Taso: Në fakt Pogradeci, ka mjaft njerëz interesantë që duhen zbuluar. Shumë nga njerëzit interesantë, sipas traditës së qytetit kanë filluar të vijnë dendur në Pogradec. Këtu vijnë pothuajse gjithë ajka e mjekësisë shqiptare, një pjesë e të cilëve kanë edhe banesat këtu. Për shembull kjo verë e verifikoi këtë gjë. Në Pogradec bëhet një jetë intelektuale edhe në një nivel të konsiderueshëm. Sepse shumë eminenca të kulturës vijnë këtu. Ndoshta ngaqë kanë atë qetësinë që të bisedojnë për gjëra të thella. Jo si në Tiranë. Në Tiranë nuk ta kanë edhe shumë ngenë, sepse mund të kenë shumë punë të tjera.
Rudina Xhunga: Pogradeci ky është. Qytet që ta ka ngenë. Ndaj të ftoj të vish e ta shijosh dhe ta shohësh me sytë e Tasos.
Ky është Pogradeci! Të kthen fëmijë, të bën fëmijë, të bën të luash, të bën të lumtur. Ky është një nga qytetet që i bën më mirë shpirtit, se thonë i bën më mirë mushkërive. Unë them që i bën më mirë shpirtit. Ja ç’lloj qyteti është Pogradeci që e dua shumë! E dua Pogradecin dhe sidomos Tushemishtin. Këtu ku vijmë ushqejmë mjellmat, te “Millennium”, na shijon më shumë se kudo.
Mevlan Shanaj: Po, po ja aty ku je, shumë mirë, ec drejt.
Rudina Xhunga: E gjeta e gjeta!
Mevlan Shanaj: Po ti çfarë nuk gjen!
Rudina Xhunga: Të gjeta Mevlan Shanaj.
Mevlan Shanaj: Faleminderit. Dëgjo, Rudina!
Rudina Xhunga: Shumë bukur është këtu ë! Nuk të pëlqen?
Mevlan Shanaj: Jo, nuk është se nuk më pëlqen. Këtu ne jemi shumë komodë, nuk ka njeri, mirëpo kalojnë makinat. Ka zhurmë. Të sugjeroj unë një vend tjetër!
Rudina Xhunga: Më fute në film domethënë, tani nuk do të xhiroj unë, u futa në filmin tënd tani.
Mevlan Shanaj: Po jo zemra, po thjesht një kafe dhe ka ambient më të mirë. Nuk ka makina, se këtu do të na bezdisin makinat.
Rudina Xhunga: Si të duash ti, unë erdha për shtëpinë tënde. E di pse erdha unë ? Sepse ti ke zgjedhur Pogradecin dhe vetëm ti mund të ma tregosh Pogradecin.
Mevlan Shanaj: Ta tregoj sipas mënyrës sime! Vemi atje, jemi më rehat.
Rudina Xhunga: Ku të duash ti! O sa mirë që më solle këtu. Unë doja patjetër të rrinim në shtëpi dhe nuk po kuptoja pse nuk doje që të rrinim në shtëpi, por tani po e kuptoj.
Mevlan Shanaj: Jo, kush tha që nuk doja! Unë thash ok, por imazhi këtu është më divers. Syri këtu merr informacion non stop. Shiko nuk është puna vetëm te gjelbërimi, pemët, uji, njeriu, por ka mundësi pafund. Nuk është ky vetëm një vend, poetik , romantik. Por edhe meditativ.
Rudina Xhunga: Çfarë është Pogradeci në fakt?
Mevlan Shanaj: Po tani, po të përdorësh atë zhargonin e zakonshëm do të thuash Pogradeci një mrekulli. Unë do të thosha që Pogradeci, e ka ose nuk e ka, por merita është e liqenit. Çfarë është liqeni? Liqeni është një sugjestion i çuditshëm, shumë pa karakter. Liqeni më pa karakter që mund të imagjinohet. Çdo të thotë pa karakter? E ndërron ngjyrën, atë ngjyrën që nuk e kap gjatë gjithë ditës.
Rudina Xhunga: Liqen pa karakter, unë qesha kot, nuk e kuptova.
Mevlan Shanaj: Ka një ndryshim ngjyre të çuditshme, të vazhdueshme, brenda ditës, syri merr informacion shumë ngjyrëshe dhe të paimagjinueshme. Duket sikur edhe një piktor i dashuruar pas lëvizjes së penelit të ngjyrave, nuk mund ta arrijë atë ndryshim ngjyrash që merr Liqeni brenda ditës, në çdo stinë, në çdo sezon. Është relaksues. Dhe kjo e bën them unë njeriun që viziton Pogradecin të dashurohet, ose të ketë dëshirë të kthehet.
Rudina Xhunga: Sa vjet u bënë në Pogradec?
Mevlan Shanaj: Shumë, nga 2003-shi.
Rudina Xhunga: Po si erdhe një ditë, si e zgjodhe Pogradecin?
Mevlan Shanaj: Rastësia!
Rudina Xhunga: Natasha, është korçare apo jo?
Mevlan Shanaj: Korçare, por Natasha ka qenë mësuese këtu, dy vjet, para se të vinte në universitet. Unë me Pogradecin kam rënë në kontakt në 1963, kanë qenë disa kampe. Në verën e 1963-shit. Kishte sugjestion, kishte poetikë, dhe këngët, mënyrën se si vijnë mbrëmjet, me kitarë, me të kënduar ose si e servirin kënaqësinë e tavolinës pogradecarët. Janë tradicionalë. Dhe përgjithësisht duhet menduar, se janë njerëz të traditës, me një botëkuptim të pranueshëm, kanë mikpritjen, qetësi, dëshirën për të dëgjuar. Dhe në rast se ka ndonjë çmenduri, unë them epo të çmendur ka gjithandej, por Pogradeci ka më pak se kudo.
Rudina Xhunga: Sa kohë rri në Pogradec?
Mevlan Shanaj: Shumë. Vij kur fillon pranvera, që piqet dhe iki kur vjeshta vjen vonë.
Rudina Xhunga: Nuk të rrihet në Tiranë?
Mevlan Shanaj: Nuk është se nuk më rrihet, por këtu ndjehem më mirë. Ndjehem mirë në gjithçka. Në relaks, por edhe në privatësi. Edhe punët e mia, i bëj qetë këtu. Natasha është shkrimtare, dhe Pogradeci i jep asaj intensitet të madh krijues.
Rudina Xhunga: Po njerëz të vijnë këtu? Kush vjen nga koha e artit, prej vërteti?
Mevlan Shanaj: Gjithë miqtë. Nuk mendoj se ka mbetur ndonjë nga miqtë e mi pa shkelur, pa ardhur për vizitë, pa pirë një gotë verë në shtëpi. Po të bëj listën është shumë e gjatë.
Rudina Xhunga: Rrini në shtëpi, apo këtu e ke tavolinën ku i sjell?
Mevlan Shanaj: Ajo atje është tavolina, e dëgjove si thanë ata për atë tavolinën.
Rudina Xhunga: Po, ajo është tavolina e Mevlanit, është e profesorit.
Mevlan Shanaj: Edhe në shtëpi, ne kemi kënaqësi të konsumojmë një gotë verë.
Rudina Xhunga: Kush gatuan te ju?
Mevlan Shanaj: Nuk është se nuk gatuaj unë, por marr ndonjë rast të veçantë, për shembull kur dua të bëj ndonjë peshk të mirë. Jeta jonë është normale, me miq me shokë. Takohemi dhe kur takohemi çfarë do të diskutojmë ne tjetër, përveç halleve tona, problemeve tona, artin. Unë nuk di të bëj ndonjë gjë më të bukur. Kam nga 1965 deri më tani, që merrem me art. Apo Natasha që 16-vjeçe. Ne duam, nuk duam, aty do të puqemi, edhe dëshirat, edhe interesat, diskutimet. Pastaj diskutimet për artin nuk kanë një limit. Është si puna e dashurisë që ti je i dashuruar, por nuk e di ku është fundi, ku është stacioni. Unë mendoj se krijuesi i vërtetë është ai që nuk i shkel syrin vetes, por e kafshon veten.
Rudina Xhunga: Gëzuar për ata që kafshojnë veten!
Mevlan Shanaj: Gëzuar!
Rudina Xhunga: Si ishte të intervistoje Lasgushin?
Mevlan Shanaj: Ishte perandor, diktator.
Rudina Xhunga: Këtu ke qenë?
Mevlan Shanaj: Aty, dy metra më andej. Njeri i madhërishëm, njeri i lirë, me një mendim të pacensuruar, absolutisht. Poezinë e donte, gjithçka që fliste ishte për poezinë dhe estetikën, por nuk donte të ngatërrohej me mendime sociale apo politike, çfarë thonë shqiptarët. Ai donte poezinë, por ishte diktator. Nuk guxonte njeri jo ta kundërshtoje, por as ta plotësoje. Për shembull të pyeste: “E di?”, i përgjigjesh: “Po e di” dhe të thoshe: “Asgjë nuk di.” Ai kishte miq të afërt në tavolinë, Nuçi Tira dhe Misto Marko ma krijuan edhe mundësinë dhe si të thuash e kandisën që të fliste, se ishte i vështirë. Nuk donte. Atë ditë kemi qëndruar gjatë, kemi folur, biseduam, pinim verë, ai pinte dhe raki. Kur them pinte, pinte për kënaqësi. Nuk ishe i shquar. Ai ishte i shquar në autoritet. Autoritet absolut. Kam episode të bukura, jo vetëm këtu, gjatë bisedës. Më ka mbetur ndër mend, ishte i varfër, por e mbante veten. Kishte një kostum të vuajtur. Dhe po frynte pak erë. Me një kravatë të zezë, dhe këmishë të bardhë. Po ecnim buzë Gjolit. Në mbrëmje po frynte erë, dhe i thotë Misto: “Zoti Llazar, po fryn gjoli.” “Jo, jo jam mirë.”-tha dhe më mori dorën ma vuri te gjoksi. Kishte vendosur karton poshtë këmishës.
“I kam marrë masat.”- tha. Poshtë këmishës, kishte vendosur karton të mos ftohej. Një gjest i bukur, që ja po e tregoj pas kaq shumë vitesh. Dëgjo, ne themi Pogradeci i Lasgushi dhe i Kutelit, por unë kam shembuj duke gërmuar, është qyteti që këtu e kanë shkelur të gjithë artistët e famshëm të Shqipërisë. Regjisorë, janë disa filma të bërë këtu. Kristaq Dhamo, Xhanfise Keko, por edhe unë edhe Saimir Kumbaro.
Rudina Xhunga: Edhe ti ke një film këtu, në Drilon!
Mevlan Shanaj: Këtu isha aktor, ishte filmi i Saimirit ai.
Rudina Xhunga: Ke qenë gjithmonë personazh pozitiv?
Mevlan Shanaj: Jepja këshilla.
Rudina Xhunga: Një gjë e mirë apo jo?
Mevlan Shanaj: Në atë kohë më erdhi pak keq, pasi kisha luajtur heronjtë. Punoja si regjisor, por vija ndonjëherë në film. Mirëpo tani me kalimin e viteve, sidomos kur e shikoj këtë shoqërinë tonë me moral tepër të tronditur, tepër të tronditur. Një shoqëri që po përjeton një krizë të madhe morale, administrative, ekonomike, psikologjike, mund të flas shumë në këtë drejtim. Them e di që tani ka qenë e mirë ajo që luaja ato role, që jepja këshilla, se njerëzit kanë nevojë për këshilla në këtë vend. Se këshilla është që të japësh modelin. Po cili është modeli? Modeli i asaj që shoqëria e do, njeriu e do të mirën. Njeriu e do të mirën, le të dëgjosh ti sa andej-këtej, të gjithë mbajnë një qëndrim, rrudhin buzët, distancohen. Edhe ata që kanë siguruar një jetesë pak të dyshimtë, nuk e kanë përkrahjen në popull. Populli e shikon, e ndjen njeriun e ndershëm dhe nuk ka gjë më të bukur, se sa të prekësh në sensibilitetin shpirtëror të njerëzve. Mua më ka pëlqyer që të kem natyrën komunikuese, jo vetëm në krijimtari, se aty kam pretenduar që të bëj filma me psikologji, me një mesazh të madh, të gjerë, për të qenë gjithmonë pranë njeriut të pambrojtur. E kam këtë ndjenjë. Edhe kur ndodh në boks po them, unë jam e atë të shkretin që po rrihet. Dua të jem në anën e atij që nuk e ka mundësinë. Ndoshta e kanë të gjithë artistët.
Rudina Xhunga: Ja si ai që po peshkon për shembull.
Mevlan Shanaj: Ai që po peshkon është njeriu më i qetë. Në këtë minuta, se ai nuk mendon për asgjë, vetëm për peshkun. Ma ka thënë këtë Kadri Roshi, Naim Frashëri se u thashë: “Bo, si duroni?” Vajtëm një herë për të xhiruar andej nga Lezha. Çfarë nervash keni. Isha i ri atëherë. Ah më thanë mua: “Nuk vuajtke nga nervat.”
-“Pse?”- u thashë. “Po të vuash nga nervat, vjen këtu i shkarkon, në qetësi.”
Rudina Xhunga: Si e ke mbajtur veten kaq mirë, ti je shumë mirë, nuk ke moshë tani që flasim?
Mevlan Shanaj: Kur të bëjnë kështu komplimentesh gocat dhe fillon e gënjen veten.
Rudina Xhunga : Po, po, gocat, gocat. Po më thuaj çfarë ke bërë?
Mevlan Shanaj: Nuk bëj ndonjë gjë të veçantë. Dëgjo, njeriu plaket nga mendja, siç duket e kam vështirësinë nga mendja unë.
Rudina Xhunga: I ke thënë mendjes: “Mos u plak!”?
Mevlan Shanaj: Jo i kam thënë që: “Jeta është e bukur, duhet jetuar, jetoje!” Për shembull mund të jetë një cilësi Rudina, unë di të fal. Këtë ma ka thënë im bir, më ka bërë përshtypje tha, njëherë tani vonë. Burrë shqiptar që kërkon falje, ti babi im je tha. Ndoshta kjo krijon hapësira te unë që të mos mbetem kështu i goditur, i gozhduar. Nuk kam menduar ndonjëherë, ç’është kjo Rudina, të të përflas, ose keq. Të lë në zgjidhjen tënde. Kam një komoditet të brendshëm. Nuk po them që janë këto arsyet, që thua ti dukesh mirë, por inatin ta thash e kam pasur me veten, ta bëj më të mirë punën e radhës.
Rudina Xhunga: Jo me botën. Pastaj bëre këtë zgjedhjen e mençur që ike nga Tirana një pjesë të kohës dhe zgjodhe një vend si ky.
Mevlan Shanaj: Kjo është vërtet një nga gjërat më të mira, jo vetëm për jetëgjatësi, por edhe për relaks. Miqtë e mi kur vijnë këtu, për aq pak orë, ndjehen mirë. Por këtu këto vite më kanë ardhur edhe fëmijët, është viti i parë që nuk vijnë. Dhe një muaj që vijnë ata, unë bashkë me Natashën, mbetem një shofer shumë i mirë. Kur vijnë fëmijët, shkoj gjithandej ku duan, dhe jam i kënaqur në këtë mjedis me ajër të mirë, me paqen ndjehen mirë. Dhe më shkruajnë: “Si nuk do të vijmë këtë vit babo?” Dhe unë i furnizoj me fotografi.
Rudina Xhunga: Ato që më dërgove edhe mua. Domethënë ky është pasioni i kësaj kohe, fotografia.
Mevlan Shanaj: Është pjesë e ndjesisë sime. Pastaj fotografia është një dhuratë shumë e madhe, një mundësi shumë e madhe. Një frame, merr vulë historike, merr emocione, mendo një fotografi që të jepet rastësisht këtu, e vendos në mur, jo në album dhe sa herë kalon dhe e shikon, e sjell, ti jeton me atë çast. Fotografia është sa emocionale, aq edhe historike, një dokument. Këtu në Pogradec, unë nuk është se rend të bëj fotografi, ato janë të çastit. Por unë kënaqem, ua dërgoj miqve, ndonjëherë i hedh në Facebook, krijoj kolazhe. Është mënyrë komunikimi bashkëkohor.
Rudina Xhunga: Ja pra, prandaj erdha në Pogradec. Erdha në Pogradec, jo për Pogradecin. Erdha për veten dhe për njerëz si unë, që kur i thash Mevlanit, këta që kanë ankthe duhet të vijnë në Pogradec, po ti tha, pse merr veten me të mirë, ti nuk ke ankthe fare. Ç’punë ke ti me ankthin.
Mevlan Shanaj: Dëgjo, unë të mendoja që Rudina Xhunga të ketë ankth! Ti je një vajzë bashkëkohore, që kur të njoh që ka shumë vite, domethënë dje, je aq zë trendi, siç përdorni ju këtë fjalorin. Kështu që unë të kam parë dhe të kam ndjekur dhe si gazetare gjithmonë ke pasur nervin tënd dhe individualitetin. Është gjë shumë e madhe të krijosh individualitetin. Sidomos në profesionet tona. Po themi në media që je ti, apo në art. Në rast se nuk je vetja, fatkeqësi. Ke hyrë në turmë dhe nuk dihet, je ke tregu i gjësë në gjallë. Mu, pëllasin që të gjithë atje. Dhe nga e pëllitura ti s’e dallon dot, kush është kush.
Rudina Xhunga: Kështu që hajde në Pogradec. Ke çfarë merr. Është një ajër që të mbush shpirtin. Dhe qyteti vetë ta ka ngenë. Ky si qytet është i ngeshëm, më tha Taso. Ta ka ngenë ty. Dhe ti merr një çlirim, çlirohesh. Shpëton, se nuk është vetëm pandemia në Tiranë. Është dhe Tirana që të mbyt. Kështu që është koha për të ikur, për të lëvizur. Shko në Pogradec. Shko në shtëpinë tënde, lëviz, lëviz sa më shumë. Edhe shiko “Shqiptarë të Mrekullueshëm.” E tha mirë Mevlan Shanaj, ka gjithmonë një kohë për të dëgjuar ca njerëz që të japin këshilla. Ndryshe humbasim, në këtë vend pa orientim. Dhe në këtë kohë pa orientim./dritare.net