Tirana u shpall kampione për të 25-ën herë në 100 vjetorin e krijimit të klubit dhe kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga Bashkia e Tiranës. Kjo e fundit ka akorduar, pa humbur kohë, 150 milionë si shpërblim financiar për futbollistët, stafin teknik dhe stafin mbështetës, më i madhi i dhënë nga ndonjë Bashki në Shqipëri.

Në mbledhjen online të Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe theksoi se kjo ofertë vlen për të gjitha ekipet që do të sjellin kupa në Tiranë.

“Më vjen mirë që fjalën e dhënë e mbajmë deri nw fund dhe është hera e parë që një Bashki jep një shpërblim të kësaj natyre. Jam shumë i lumtur që kupa e futbollit do të vazhdojë të rrijë në Tiranë edhe këtë vit. I uroj shumë sukses ekipit të Tiranës, teksa vazhdon ndeshjet, projektet dhe endrrat për më tej. E di që një pjesë e lojtarëve po avancojnë në karrierën e tyre, e di që disa të tjerë që i janë bashkuar ekipit të Tiranës dhe ndaj besoj që, shpërblimi prej 150 milionë lekë, më i madhi i dhënë nga ndonjë Bashki në Shqipëri, të shkojë për historinë e suksesit, jo vetëm të futbollistëve, por edhe të stafit teknik që mundëson suksesin e ekipit. Kjo ofertë vlen për të gjitha ekipet që do të sjellin kupa në Tiranë dhe kushdo që fiton kampionatin apo edhe kampionate të tjera, mund të jenë volejbollistët e Farkës apo basketbollistët e Dinamos, ne do të vazhdojmë të shpërblejmë ata që e stolisin me kupa Tiranwn”, tha ai.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se shpërblimi i Tiranës synon promovimin e kulturës sportive. “Jam shumë i lumtur që një pjesë e madhe e palestrave të qytetit janë hapur për aktivitete sportive dhe dua t’i inkurajoj se në shumë terrene që kemi krijuar janë mbi 60 ku shoqata të ndryshme sportive i kanë marrë përsipër për të trajnuar fëmijët e qytetit tonë për të luftuar obezitetin e për të qenë më aktiv sidomos në këto kohë të pandemisë. Dua ta fuqizoj dhe ta inkurajoj kulturën sportive në kryqytet”, deklaroi Veliaj.

Në bazë të vendimit, ndarja e shpërblimit do të bëhet sipas një liste që ka dorëzuar më parë klubi Tirana në bashki. Paratë do të jepen për të gjithë, në bazë të meritës dhe pozicionit që kanë në skuadër. Lista është hartuar nga drejtuesit e skuadrës dhe dorëzuar në bashki.