Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në një intervistë në emisionin Open në Top Channel, ka dhënë lajmin për ardhjen e vaksinës ndaj Gripit në vendin tonë.
Manastirliu është shprehur se vaksina ka mbërritur dhe nesër personeli mjekësor fillon vaksinimin për të vazhduar më pas me të gjitha kategoritë e riskut të përcaktuara nga ISHP.
“Vaksina e Gripit ka mbërritur në Shqipëri, nesër fillon vaksinimi për stafet mjekësore.
Që prej muajit Prill, kemi financuar vaksinën kundër gripit, në kushtet e situatës së pritshme të vjeshtë-dimrit, me rrezikun e mbivendosjes së COVID19 dhe ja kemi dalë ta sigurojmë atë disa herë më shumë se 1 vit më parë. Vaksinimi do të nisë shumë shpejt: do të ofrohen falas për popullatën e riskuar, duke filluar nga sot, sipas një plani të detajuar, që nis me personelin shëndetësor.
Mjekët dhe infermierët janë kategoria e parë që kryejnë nga sot vaksinimin falas kundër gripit, ndërsa vaksinimi do të vijojë më pas me edukatorët, arsimtarët, të moshuarit të sëmurë kronikë, fëmijët 2-5 vjeç, sipas përcaktimit të Institutit të Shëndetit Publik”, tha Manastirliu