Shkencëtarët ruse nxorën raportin e tyre të parë mbi vaksinën e koronavirusit duke thënë se testet e hershme treguan shenja të një përgjigjeje imune të organizmit. Raporti, i publikuar në revistën prestigjioze mjekësore “The Lancet”, thotë se çdo personi, të cilit iu administrua vaksina zhvilloi antitrupa për të luftuar virusin dhe nuk paraqiti asnjë efekt anësor serioz. Rusia e licencoi vaksinën për përdorim lokal në muajin gusht, duke u bërë vendi i parë që bënte diçka të tillë, që përpara se të dhënat të bëheshin publike.
Ekspertët thonë se testet janë zhvilluar në shkallë shumë të vogël për të provuar qartë efikasitetin e tyre dhe sigurinë. Por Moska i përshëndeti rezultatet e fundit, duke i cilësuar si përgjigjen më të mirë ndaj kritikëve. Disa mjekë perëndimorë kanë ngritur shqetësime në lidhje me shpejtësinë e punës së Rusisë, duke lënë të kuptohet se gjatë rrugës, mund të jenë kapërcyer hapa të rëndësishëm. Muajin e kaluar, Presidenti Vladimir Putin deklaroi megjithatë se vaksina i kishte kaluar të gjitha kontrollet e kërkuara dhe tha madje se një të tillë, ia kishte dhënë edhe vetë vajzës së tij.