Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot në takim grupin parlamentar të miqësisë Francë-Shqipëri, me të cilët bisedoi rreth shtimit të marrëdhënieve në fushën ekonomike, të teknologjisë së informacionit dhe fuqizimin e rinisë.
Kryesuesja e këtij grupi, Mireille Clapot, vlerësoi Tiranën për jetësimin e reformave dhe energjinë e jashtëzakonshme përmes kantiereve të saj të punës. “Tirana përcjell një energji të jashtëzakonshme në të gjitha kantieret e saj, me dëshirën për ndryshime urbane, pa e harruar të kaluarën, por duke u projektuar drejt së ardhmes. Për ne, perspektiva e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së është veçanërisht e rëndësishme. Kemi vëzhguar dhe admiruar sesi një kryeqytet i madh po jetëson reformat, por u interesuam veçanërisht për faktin sesi Tirana po përballet me sfida tejet të rëndësishme, siç janë ato ekologjike, të trajtimit të ujërave, të mbetjeve dhe transportit. E të gjitha këto filluan në mënyrë simbolike, me rregullimin e Sahatit të Tiranës”, tha deputetja franceze.
Teksa i dorëzoi znj. Mireille Clapot, Kullën e Sahatit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se miqësia mes dy vendeve do të forcohet edhe më tej vitin e ardhshëm, kur Tirana merr stafetën si Kryeqyteti Europian i Rinisë. “Jam shumë i lumtur që mirëpres në Tiranë një grup deputetësh nga parti të ndryshme franceze, por të bashkuar në miqësinë me Shqipërinë. E vlerësoj jashtë mase që brenda këtij viti, edhe pse me pandeminë dhe shumë vështirësi në lëvizje, kjo miqësi midis Shqipërisë dhe Francës ka qenë prioritet. Mezi pres që ta forcojmë këtë marrëdhënie kur, vitin tjetër, të marrin stafetën si Kryeqyteti Europian i Rinisë, nga një qytet francez”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se Franca dhe Shqipëria do t’i shtojnë lidhjet miqësore, jo vetëm në nivelin përfaqësues, por edhe në fushën e biznesit. “Me hapjen e Agjencisë Franceze të Zhvillimit, me të cilën do të kemi një sërë kantieresh, duke filluar nga hoteli pas shpinës time, tek grupet që prodhojnë energji dhe që po na ndihmojnë me menaxhimin e ujit, t’i shtojmë lidhjet edhe në nivelin e menaxherëve dhe kompanive tona sepse formula jonë e miqësisë është një formulë që fitojnë të dyja palët. Mezi pres rikthimin tuaj në Tiranë dhe shpresoj shumë që në disa nisma, si ato për teknologjinë e informacionit dhe fuqizimin e rinisë, të gjejmë një partner ideal tek ju”, theksoi Veliaj.
Gjatë Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt 2020 në Bruksel, mes dy vendeve tona, u nënshkrua marrëveshja për fillimin e ushtrimit të aktivitetit të Agjencisë Franceze të Zhvillimit.