Banka e Shqipërisë ka bërë një vlerësim të gjashtëmujorit të parë të vitit 2020 për veprimtarinë e sektorit bankar. Në njoftimin zyrtar thuhet se “veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht sfidave që paraqiti situata e pandemisë në vend. Masat operacionale të marra nga bankat për sigurimin e vijueshmërisë së funksioneve kritike dhe marrëdhënieve me klientelën, dhe masat e marra nga autoritetet publike për zbutjen e goditjes së pandemisë mbi veprimtarinë ekonomike dhe financiare të vendit, mundësuan që veprimtaria e ndërmjetësimit financiar të vijojë në mënyrë të përshtatshme dhe treguesit financiarë të sektorit bankar të mbeten në nivele të mira.” Gjithashtu thuhet se pasiguria për kushtet e pandemisë ekziston, megjithatë kapacitetet e sektorit bankar për t’u përballuar me këto sfida janë aktualisht të mjaftueshme.
“Pasiguria për zhvillimet ekonomike në kushtet e pranisë së pandemisë mbetet e pranishme, dhe të tilla mbeten edhe sfidat për veprimtarinë bankare e financiare. Megjithatë, vlerësimet e industrisë bankare dhe ushtrimet e provës së rezistencës, sugjerojnë që kapacitetet e sektorit bankar për t’u përballuar me këto sfida janë aktualisht të mjaftueshme. Banka e Shqipërisë, mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar”, thuhet në njoftim. Në mbledhjen e datës 2 shtator 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi për disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave” dhe “Për disa ndryshime në rregulloren “Për mbikëqyrjen e konsoliduar”
“Ndryshimet në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave” vijnë si rezultat i rishikimit të vazhdueshëm të kuadrit rregullativ mbikëqyrës, me qëllim harmonizimin e vazhdueshëm të tij me acquis të BE-së dhe dokumentet e Komitetit të Bazelit mbi regjimin e ekspozimeve të mëdha, por duke konsideruar edhe veçoritë dhe zhvillimet e tregut bankar shqiptar. Gjithashtu, ato përfshijnë dhe disa kërkesa të reja raportuese dhe monitoruese për bankat, të cilat janë reflektuar edhe në ndryshimet e rregullores “Për mbikëqyrjen e konsoliduar”, për të siguruar konsistencë në raportimin e ekspozimeve të mëdha nga bankat, si në baza individuale, edhe të konsoliduara”, shkruhet në njoftim.