Lojtari i kombëtares spanjolle, Thiago Alcantara, 29 vjeç, ka nënshkruar një marrëveshje 4-vjeçare me “Reds”. Ai i ka kushtuar Liverpool-it vetëm 20 milionë £. Kjo tarifë mund të rritet në 25 milionë £ me bonuse, por, në tregun e sotëm, ende përfaqëson një “pazar” ideal.

“Unë duhet t’i përshtatem ekipit sa më shpejt që të mundem, në situatën dhe kontekstin që po jetojmë tani, – tha Thiago. – Gjithçka është më e ngarkuar, ne po e fillojmë sezonin e ri pak më vonë, por prapëseprapë mbetet futbolli dhe mendoj se duhet t’i shijojmë të gjitha të mirat që kemi. Unë do ta ndihmoj ekipin në fazën mbrojtëse dhe sulmuese, gjithashtu në aspektin psikologjik”.

Jurgen Klopp, ndërkohë, shprehu kënaqësinë e tij që “vulosi” blerjen e mesfushorit të spikatur: “Absolutisht e shkëlqyeshme, jam vërtet i lumtur që më në fund operacioni doli për mirë dhe u lrye. E di që të gjithë njerëzit te Bayerni dëshironin ta mbanin dëshpërimisht. Kjo është normale dhe e kuptueshme, sepse Thiago luajti një rol të rëndësishëm atje, edhe në sezonin e fundit. Ai thjesht ishte gati për një sfidë të re dhe zgjodhi ne”.

Nuk ka kaluar shumë kohë që tifozët e Liverpool-it të vijnë me një krijim befasues për blerjen e tyre të re. Dhe është një video e animuar. Mbështetësit e “Reds” po e shpërndanin këtë video në rrjetet sociale pak para mbërritjes së Thiago në “Anfield”. Tifozët e Liverpool panë reagimin e mesfushorit spanjoll, kur e dëgjoi atë për herë të parë.