Ditën e sotme janë publikuar në ERTV, dokumentat që provojnë ndihmën që ka dhënë qeveria shqiptare për Alesio Cakonin dhe nënën e tij, i cili nga tërmeti i Nëntorit 2019 humbi babin dhe motrën, por që ditët e fundit u soll në vëmendje nga opozita si rasti i një familjeje të harruar nga qeveria. Referuar fakteve të publikuara, rezulton se fillimisht, familja ka marrë në dhjetor 2019 si mbështetje të menjëhershme financiare, shumën prej 10 milion lekësh të vjetra, që qeveria ia akordoi çdo familjeje që humbi të afërmit në tr agjedi.
Po në Dhjetor, qeveria shqiptare miraton një listë me emrat e familjarëve të vik timave që do t’u dhuroheshin apartamente të reja banimi. Mes tyre edhe Manjola Cakoni, e cila do të hynte në këtë muaj në banesë, bashkë me Alesion. Apartamenti i blerë tek ndërtuesit nga bashkia Kamëz i dhurohet më pas me një kontratë dhurimi, Manjola Cakonit. ERTV publikoi edhe kontratën e dhurimit, firmosur para noterit nga Kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli dhe përfituesja, Manjola Cakoni.
Ndërkohë qeveria mori përsipër mbulimin e shpenzimeve funerale për ceremonitë mortore të të afërmve të tyre. Zëvendësministrja e Financave, Dajna Sorensen, shpjegoi në ERTV se Alesio përfiton tanimë çdo muaj një bursë shkollimi në shumën 15.000 lekë të reja, së bashku me një pension familjar. Sorensen theksoi se strukturat e shërbimit social shtetëror kanë trokitur disa herë në derën e Manjola Cakonit, për të mundësuar punësimin e saj.
“Por është e kuptueshme që në situata të tilla njeriu ka nevojë për kohë dhe ne do të jemi gjithnjë të gatshëm për të mundësuar punësimin e Manjolës në çdo moment”, tha Sorensen.
Gjithashtu, në videon e publikuar nga Rama ka folur edhe psikologu që për disa muaj ka trajtuar me Alesion dhe nënën në banesë, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Për rastin konkret reagoi edhe vetë kryeministri, i cili shprehu keqardhjen për mënyrën se njerëz të politikës dhe medias, kanë abuzuar publikisht me të ëmën e Alesios. Sipas Ramës, ky keqërdorim publik i dhimbjes njerëzore, nuk do të kishte ndodhur nëse më parë do ishin hulumtuar faktet dhe dokumentat që provojnë ndihmën e qeverisë.
“Në rastin konkret kam përjetuar me keqardhje dhe me një ndjesi neverie, abuzimin me të ëmën e Alesios, e cila është një grua e rënduar psikologjikisht dhe emocionalisht nga një tragjedi qe nuk kalon kurrsesi pa lënë gjurmë. Ndërkohë që mendoj se etika e medias dhe për më teper e politikës duhet ta ndalojë hedhjen e nxituar të hapave të tillë për të konsumuar në publik njësoj si në një restorant, në një klub ku hahet mish, mishngrënie e njerëzve në nevojë, e njerezve në sekëlldi, e njerezve të traumatizuar dhe duhet t’i referohet fakteve. Padiskutim që do të ishte shumë njerëzore, do të ishte e lavderueshme nga pikëpamja etike që pa e abuzuar, pa e konsumuar, pa e dhunuar, imazhin fizik në tregun mediatik dhe politik, te hulumtoheshin faktet dhe të shihej nëse unë dhe qeveria i kemi braktisur apo u kemi qendruar pranë jo vetëm Manjolës dhe Alesios por të gjithë familjeve”, tha Rama.
“Neveritem kur shoh se si hiena që e ka vendin në kategorinë më të ulët të kafshëve të pyllit, shfaqen në formën e personit publik, në formën e logos mediatike, në formën e përfaqësuesit politik, në formën e flamurit partiak dhe ha mish njeriu, duke i ftuar të gjithë në një orgji mishi dhe dehjeje me demek ndienjën e solidaritetit dhe keqardhjes. Nuk është as solidaritet dhe as keqardhje. Ky është shpërdorim, abuzim, shpërdorim, dhunim i njerëzve”, theksoi Kryeministri, duke iu referuar kështu një deklarate të Presidentit Ilir Meta, i cili shkruante në facebook se nevojitet solidaritet me familjen Cakoni, që sipas tij, ishte e papërkrahur nga qeveria.
Po për ERTV, foli nga kantieri i rindërtimit në Thumanë, ku po vijon puna me ritme të shpejta, edhe deputetja e zonjës, Eglantina Gjermeni, e cila sqaroi se ndërkohë që puna vijon, asnjë nga banorët nuk është lënë në mëshirë të fatit. “Janë pothuajse 600 familje që po marrin bonuesin e qerasë të cilat janë sistemuar në banesa dhe gati 500 familje që kanë përfituar grante për rikonstruksionin e shtëpive të tyre, një pjesë e të cilave tanimë e kanë përfunduar rikonstruksionin”, tha Gjermeni.