Dominik Szoboszlai i dha kombëtares hungareze fitoren në sfidën e parë të Ligës së Kombeve, teksa edicioni i dytë i këtij kompeticioni startoi në fillim të këtij muaji. Ai realizoi një supergol nga goditja e dënimit, në një largësi mjaft të madhe, duke gjunjëzuar Turqinë brenda në shtëpi. Një perlë e tillë nuk ishte parë në fushat e blerta që nga koha e Cristiano Ronaldos me Man.Utd. Portugezi ka realizuar një kryevepër të tillë me fanellën e Manchester United. Mrekullia e Szoboszlai ndodhi në minutën e 80-të të ndeshjes së luajtur pa tifozë në qytetin qendror turk, Sivas. Topi, me një trajektore të çuditshme, goditi shtyllën fillimisht dhe pastaj shkoi në rrjetë, duke e lënë portierin Ugurcan Cakir të dorëzuar dhe “pa tekst”.