Në javën e parë të nëntorit do të rinisë viti i ri akademik. Studentët do të rifillojnë mësimin, edhe pse ende po diskutohet nëse kjo do të ndodhë online, në auditore apo do të jetë diçka e miksuar. Këtë e konfirmoi zëvendësministri i Arsimit për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, Olti Rrumbullaku.
“Ne kemi diskutuar edhe me univeritetet gjatë muajit korrik dhe është rënë dakord për fillimin e vitit në fillim të vitit nëntor sepse në shtator dhe tetor duhen përmbushur ato detyrime shtesë për shkak të pandmeisë, flas për shtyrjen e provimeve dhe konsultimeve. Këto kërkonin kohën e vet. Në javën e parë të muajit nënëtor nis viti i ri akademik. Ka dy mënyra kryesore, edhe në varësi të faktit sesi do të jetë situata pas një muaji. Është mënyra e një mësimi të përzier. Ndryshe nga arsimi parauniversitar, për universitetet duke qenë se ka numra më të mëdhenj në auditore, diskutimet janë për mësim të përzier, në auditore dhe online. Pjesa më e rëndësishme në aspektin arsimor është si do të jenë përgatitjet edhe kur gjithë sistemi bllokohet, flas që nuk do të ketë mësim fare në auditore dhe e gjitha duhet të jetë online.”
Rrumbullaku deklaroi se këtë vit u vu re një zhvendosje e rëndësishme drejt degëve të shëndetësisë, informatikës apo teknologjisë.