Prej javësh punonjësit e shërbimeve të bashkisë së Elbasanit po punojnë intensivisht për lyerjen, dezinfektimin pastrimin, meremetimin e shkollave për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021, duke siguruar ambiente konform masave anti-COVID-19 për 19.000 nxënës dhe stafin mësimor në 66 shkolla publike.
Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Maksim Malaj u shpreh për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se janë marrë masat për gatishmëri maksimale për fillimin e vitit shkollor 2020-2021.
“Janë marrë masat për gatishmëri maksimale për fillimin e vitit shkollor 2020-2021. Në godinat e institucioneve arsimore është bërë dezinfektimi periodik i ambienteve. Gjithashtu janë marrë masat për pajisjen me dezinfektant, janë bërë pikëzimet e ambienteve për respektimin e distancës. Grupet e bashkisë janë duke ndjekur procesin e furnizimit me ujë në të gjitha institucionet arsimore’’, tha Malaj.
Ai shtoi ndër të tjera se “120 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Jonuz Çarçiu”, Tregan të dëmtuar për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, janë akomoduar në shkollën 9-vjeçare Kuqan’’.
Malaj theksoi se departamentet përkatëse të bashkisë së Elbasanit janë në gatishmëri për vijueshmërinë normale të procesit mësimor për vitin shkollor 2020-2021.
Gjithashtu, Institucioni i Prefektit të Qarkut Elbasan vazhdon të ndjekë me përparësi procesin e përgatitjes së shkollave për fillimin e vitit të ri shkollor si dhe evidentimin e problemeve të tyre.