Rreth 33 796 nxënës të sistemit arsimor publik në qarkun e Fierit pritet të rikthehen në bankat e shkollës, në kushtet e protokolleve strikte që do zbatohen në situatën e përballjes me COVID-19. Në një intervistë për ATSH-në, Prefekti i Qarkut Fier, Baki Bala ndalet te masat që janë marrë në shkollat e Qarkut të Fierit, për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor në kushtet e normalitetit të ri të diktuar nga COVID-19.

Bala tha se në qarkun e Fierit ka në total 178 shkolla, 148 prej të cilave shkolla qendër dhe 30 shkolla vartëse. “Deri tani në këto shkolla janë regjistruar 33 796 nxënës, pa përfshirë këtu shkollat private dhe ato profesionale”, tha Prefekti Balla. Ai konfirmoi për ATSH-në se “procesi mësimor do të zhvillohet në rreth 50% të shkollave me një turn dhe në pjesën tjetër me dy turne”.

“Ky vit fillon me disa veçori për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, e cila do të diktojë masa suplementare planizuese dhe zbatuese. Disa prej tyre do të jenë organizimi i shkollave që do të veprojnë me një turn, i shkollave që do të organizohen me dy turne, studimi i mbulimit të mësimit me personel mësimdhënës, marrja e masave për dezinfektimin e ambienteve në shkolla dhe zbatimi i protokolleve të masave antiCOVID”, tha ai. Po ashtu, Bala tha se po i kushtohet rëndësi organizimit sa më mirë të shpërndarjes së librave, ku këtë vit në zbatim të programit të qeverisë, ato do të jepen falas për klasat nga e para deri në të shtatën.

Bala tha se janë koordinuar po ashtu masat me Bashkitë dhe strukturat e tjera ligjzbatuese si Policia e Shtetit, Inspektorati i Shëndetit Publik, Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit, etj. “Në të gjithë Qarkun e Fierit, 6 bashkitë, kanë përqendruar punën e vendosjen në gatishmëri të shkollave. Ata janë njohur me planizimin e DRAP dhe të ZVAP, që veprojnë pranë çdo bashkie, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, tha Prefekti për ATSH-në.

Ai theksoi se “planizimi i tyre është bërë në raport me numrin e nxënësve, numrin e klasave që krijohet sipas udhëzimit të MASR, numrin e klasave, duke ruajtur distancimin fizik, ambientet e mundshme në shkolla, etj”. “Mbi bazën e këtij planizimi është arritur në përfundimin se mësimi është i mundur të filloj rregullisht në datën 14 shtator”, tha Bala.