Princ Leka Zogu ka pritur në një takim ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Princ Leka shkruan se gjatë takimit me ambasadoren nuk ka hezituar të shprehë mbështetjen e tij, në respektimin e luftës ndaj korrupsionit. Ata kanë biseduar edhe për politikën dhe zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në 25 prill të vitit 2021.
“Ishte një kënaqësi të mirëprisnim në Rezidencën Mbretërore vizitën e Shkelqesisë së Saj Ambasadores së Shteteve të Bashkuara Yuri Kim. Përfitova nga rasti të falënderoj Znj Ambasadore për mbështetjen e treguar ndaj Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara, çka pasqyron miqësinë e gjatë midis vendeve tona. Unë shpreha mbështetjen time absolute në respektimin e luftës ndaj korrupsionit dhe implementimin e një sërë reformash për një standard sa më të mirë. Biseda ishte shumë e ngrohtë dhe optimiste për të ardhmen e vendit dhe u përqendrua në potencialin njerëzor dhe talentet e shqiptarëve. Gjithashtu folëm për bukuritë natyrore dhe historinë e pasur të Shqipërisë. Sigurisht nuk mbetën pa prekur temat e çështjeve aktuale si klima delikate dhe dinamike politike e vendit.
Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet vitin e ardhshëm ndaj stabilitetit dhe paqja janë thelbësore. Procesi demokratik ka një rëndësi të veçantë pasi Shqipëria synon dhe duhet ta shohë të ardhmen brenda Bashkimit Evropian“, shkruan princ Leka Zogu.