Toni Kroos thotë se Zinedine Zidane është “trajneri më i mirë, që mund të kërkosh” dhe se francezi “ka gjithçka nën kontroll” në klubin madrilen. Zidane aktualisht është në mes të kontratës së dytë menaxheriale në “Santiago Bernabeu”. Eksperienca e parë e tij në këtë rol solli tre Champions radhazi dhe një titull në La Liga. Ai u largua nga posti që mbante pas një fitoreje në finale e Ligës së Kampionëve kundër Liverpool, por u kthye nëntë muaj më vonë, pasi “Los Blancos” patën rënie dra matike.

Me titullin kampion të Spanjës të fituar sezonin e fundit, por me eliminim që në 1/8 finale të Champions-it, përballë Manchester City, Toni Kroos është i lumtur t’i japë Zidane gjithë meritat për sukseset: “Na ndihmon shumë që ai vetë ka qenë një lojtar i shkëlqyeshëm. Ai e di saktësisht se çfarë bën, se si ndihet cilido lojtar te Real Madridi. Zidane i zbaton këto njohuri në mënyrë të mrekullueshme. Ai është jashtëzakonisht i mirë në menaxhimin e këtij grupi yjesh, takon e bisedon me çdo lojtar, i shikon të gjithë në sy. Ka raport shumë të ngushtë e bordin drejtues të klubit, kontrollon gjithçka te Real Madridi. Zidane është gjithashtu shumë i mirë teknikisht. Thënë ndryshe, është trajneri më i mirë që mund të kërkosh”.

Kroos luajti 43 ndeshje, në të gjitha garat, për Real Madridin në mandatin e kaluar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të paraqitjeve me fanellën e bardhë në 278, që nga mbërritja aty më 2014, nga Bayern Munichen. 30-vjeçari arriti në kryeqytetin spanjoll pas triumfit të Gjermanisë në Kupën e Botës së Brazilit, por thotë se kurrë nuk mund ta imagjinonte suksesin që do të pasonte nën drejtimin e Zidane: “Unë atëherë isha me fat që erdha në Madrid si një kampion bote i sapokurorëzuar. Jam prej gjashtë vitesh në La Liga dhe kam fituar tre Champions radhazi. Kjo ishte më shumë nga sa kisha shpresuar”.