Futbollisti uellsian, Gareth Bale dje bëri zyrtare kthimin e tij në fanellën e Tottenhamit nga Real Madridi, transmeton Anadolu Agency.
Së bashku me lojtarin e kombëtares së Uellsit nga Madridi mbërriti edhe mbrojtësi Sergio Reguilon.
Bale, 31 vjeç, u kthye në veri të Londrës me një huazim një vjeçar, 7 vjet pasi shkoi në klubin e famshëm spanjoll për 100 milionë euro, një kompensim rekord në atë kohë.
Reguilon, mbrojtësi i majtë 23-vjeçar, ka nënshkruar kontratë me Tottenhamin deri në vitin 2025. Ai bëri debutimin e tij në fanellën e ekipit kombëtar spanjoll në Ligën e Kombeve këtë muaj ndërsa me Sevillan, ku ishte në huazim, ai fitoi Ligën e Evropës këtë verë.
Bale kohët e fundit nuk ka patur marrëdhënie të mira me menaxhmentin dhe stafin teknik të kampionit spanjoll. Ai rrallë kishte shansin të luaj dhe tani po kërkon një kthim në formë nën drejtimin e Jose Mourinhos, si pjesë e një tresheje sulmuese së bashku me Harry Kane dhe Son Heung-min.
Ai fitoi katër tituj të Ligës së Kampionëve me Realin, pasi klubi i ri/i vjetër e çoi atë për herë të parë në garën më elitare të klubeve në vitin 2010.