Britania e Madhe është në një “pikë kthese” kur bëhet fjalë për krizën në lidhje me epideminë, pasi që virusi korona po transferohet nga të rinjtë te të moshuarit dhe është e nevojshme që qytetarët të respektojnë rregullat, tha zëvendës shefi mjekësor për Anglinë, Jonathan Van Tam. Ndërsa numri i rasteve po rritet me shpejtësi, veçanërisht në veri të Anglisë, ministrat po përgatisin një seri të re rregullash në përpjekje për t’u marrë me krizën, e cila do të përfshijë kompetenca më të mëdha për autoritetet lokale për të monitoruar përhapjen e virusit.
Van Tam tha se përhapja e virusit korona tani po zhvendoset nga grup-moshat më të reja në moshat më të moshuara në zonat më të goditura dhe deklaroi se numri i vdekjeve do të rritet. “Tani jemi në një pikë kthese në luftën tonë kundër virusit korona, të ngjashme me atë që ishim në mars, por mund të parandalojmë një përsëritje të historisë nëse të gjithë veprojmë tani,” tha Van Tam.
Ai kujtoi se Britania e Madhe është në mes të një epidemie të rëndë, transmeton KosovaPress. “Stina e vitit është kundër nesh. Në thelb, ne po përplasemi me erën. Parimet mbi bazën e të cilave transmetimi mbahet në një nivel të ulët nuk kanë ndryshuar,” shtoi Van Tam. Në Britani, e cila ka një nga nivelet më të larta të vdekshmërisë nga koronavirusi në Evropë, numri i të infektuarve është në rritje që kur qeveria filloi procesin e hapjes së ekonomisë.