Me financimin e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës, vlera e projektit të të cilit arrin në 510 milionë euro, Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin një peshë të konsiderueshme në investimet e huaja direkte të vendit tonë.
Aktualisht pozicioni i investimit të kompanive amerikane në Shqipëri është në nivele modeste. Në 6 mujorin e parë të këtij viti, fluksi i investimeve të ndërmarrjeve me origjinë nga SHBA-të ishte në total 6 milionë euro.
Nivelin më të lartë të investimit firmat amerikane e kanë shënuar në vitin 2014, ku totali i investimeve të sipërmarrjeve nga Amerika arriti 35 milionë euro, që prej kësaj periudhe, investimet e portofolit të këtyre kompanive janë tkurrur ndjeshëm.
Në total vlera e investimit të kompanive amerikane, që nga 2014 dhe deri në Qershor të këtij viti arrin 123 milionë euro, duke zënë vetëm 1.5% të totalit të stokut prej 8.4 miliardë euro të investimeve të kompanive të huaja në Shqipëri.
Aktualisht portofolin e investimeve të huaja në vendin tonë për gjysmën e parë të këtij viti e dominon Holanda për shkak të regjistrimit të investimeve të kompanisë Statkraft në hidrocentralin e Devollit me 143 milionë euro investime, e pasuar nga Zvicra me 119 milionë euro në projektin e gazsjellësit TAP dhe Turqia e Italia.